Dy vajza xhidste, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova e ngritën akoma më lart emrin e Kosovës në lojërat olimpike. Të dyja i kanë siguruar nga një medalje të artë Kosovës, duke e renditur në vendin e tetë të medaljeve olimpike. Në renditjen e deritanishme, Kosova lë pas shtete të tjera të fuqishme si Italia dhe Franca. E para që fitoi ishte Distria Krasniqi, që triumfoi në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke fituar medalje ari e duke na bërë të gjithëve krenarë. Krasniqi e nisi mbarë ditën e parë të “Tokio 2020”, pasi fitoi të gjitha ndeshjet, ku në finale ajo u përball me japonezen Funa Tonaki. Loja ishte e vështirë, por shqiptarja ia doli të triumfojë dhe t’i tregojë të gjithëve aftësitë e saj në xhudo.
Ndërsa, Nora Gjakova mundi në finale rivalen franceze, Sarah Leoine Cysique me ippon dhe fitoi medaljen e artë për peshën deri në 57 kilogramë. Po ashtu, në gjysmëfinale Nora mundi japonezen Tsukasa Joshida. Kjo është medalja e tretë e artë e Kosovës në Lojërat Olimpike, pas asaj të fituar para 5 vitesh nga Majlinda Kelmendi në Rio dhe asaj të para pak ditëve nga Distria Krasniqi. Ky sukses i vajzave nuk kaloi pa u përmendur edhe nga faqja zyrtare e xhudos botërore. Në një postim në Twitter, shkruhet se vajzat nga Kosova po vazhdojnë trendin legjendar për fitoret e mëdha.
“Nora Gjakova – kampione olimpike. Trendi legjendar vazhdon për ekipin kosovar të femrave, teksa Nora rrëmben medaljen e tretë për Kosovën në Lojërat Olimpike – të trija në xhudo”, shkruan faqja zyrtare e Xhudos Botërore në Twitter. Sigurisht që arritjet janë për t’u përgëzuar, por fakti që të dyja medaljet u fituan nga dy vajza është për t’u përgëzuar dhe duartrokitur akoma më shumë!