Zëvendësministri për Mbrojtjen Civile në Greqi Nikos Hardalias dhe profesor Vana Papaevangelou kanë deklaruar se ishujt Mykonos dhe Ios janë vetëm një hap larg bllokimit. Hardalias u kërkoi autoriteteve lokale, turistëve dhe mekanizmave të kontrollit të tregojnë më shumë kujdes për zbatimin dhe kontrollin e rreptë në lidhje me masat e mbrojtjes personale dhe funksionin e rregullave për distancimin social, veçanërisht në zonat me shumë njerëz.
Ai u shpreh se kontrollet në këto zona do të vazhdojnë me ritëm intensiv duke shtuar forcim të mekanizmave të kontrollit.
Ndër të tjera, Hardalias theksoi se ekziston një shqetësim i madh pas shpërthimit të rasteve ne Zakynthos, Tinos, Lefkada, Santorini, Paros dhe Rodos. Nënsekretari i Mbrojtjes Civile njoftoi gjithashtu se Selaniku, Halkidiki, Xanthi, Florina, Evia dhe Tinos, si dhe komunat e Spetses, Sfakion dhe Chios janë duke shkuar drejt zonave “portokalli”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me sugjerimin e CDC -së amerikane për përdorimin e maskave brenda dhe nga njerëzit e vaksinuar, Hardalias deklaroi: “Imazhet që shoh atje më bëjnë të trishtohem. Sigurisht, mbajtja e maskës do të zbatohet për të gjithë, të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Sidoqoftë, të pavaksinuarit luajnë me jetën e tyre dhe, për fat të keq, luajnë me jetën e të tjerëve”.