Kryeministri britanik Boris Jonhson u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij “të tregohen shumë të kujdesshëm” në lidhje me situatën shëndetësore, pavarësisht rënies së rasteve COVID-19 për të shtatën ditë rradhazi. Që nga 20 korriku, një ditë pas heqjes së kufizimeve të fundit në lidhje me virusin, rastet e reja kanë vazhduar të ulen, duke arritur në 23 511 raste të reja ditore sot. Gjatë shtatë ditëve, BM regjistroi një rënie prej 30% të numrit të rasteve pozitive. Duke shpjeguar se ai “e kishte vënë re qartësisht” këtë prirje, Johnson theksoi se “është shumë e rëndësishme që ne të mos e lejojmë veten të dalim në përfundime”.
“Hapi i katërt jashtë kufizimeve u ndërmor vetëm disa ditë më parë”, tha ai para kamerave, gjatë një udhëtimi në Londrën jugperëndimore, në lidhje me heqjen e diskutueshme të kufizimeve të fundit antiCOVID-19. “Njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm”, shtoi Johnson. Edhe pse tendenca po përmirësohet nga pikëpamja e rasteve, situata vazhdon të përkeqësohet për sa i përket shtrimeve në spital dhe vdekjeve, me 131 vdekje të njoftuara sot, shifra më e lartë që nga marsi.