Këtë fundjavë në shëtitoren e Pogradecit dhe buzë liqenit, po ekspozohen për herë të parë mjetet e koleksionit historik shqiptar Retro. Kryeministri Edi Rama ndau foto nga parada e mjeteve ndërsa ftoi qytetarët të vizitojnë Pogradecin. Flotës së mjeteve të çmuara u janë bashkuar për herë të parë këtë vit edhe koleksionistë nga Shkupi dhe Ohri.
Aktivitetet RETRO që sjellin kulturën e koleksionimit, të restaurimit dhe të ruajtjes së vlerave të mjeteve historike, vijnë shpesh me një program artistik, të ftuar, DJ e balerina duke sjellë festë, kërcime, interes nga çdo brez e moshë dhe duke krijuar një atmosferë të hareshme për qytetarët e vendit dhe turistët.
Të apasionuarit, kalimtarët, turistët e të gjithë kuriozët pas klasikes do të kenë mundësinë t’i shohin dhe të njihen më nga afër me historitë dhe pasionin e madh të koleksionuesve. Retro është aty me dëshirën për të shpërndarë këtë pasion e duke e bërë fundjavën një event tejet interesant e për të mos u humbur.