Pas konfirmimit të variantit Delta në Shqipëri, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ju ka bërë apel qytetarëve të vaksinohen ndaj COVID-19 dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e infeksionit.
“Konfirmimi i prezencës së variantit Delta në Shqipëri nga laboratori i referencës Charite në Berlin, kërkon nga të gjithë respektim rigoroz të masave parandaluese, izolim të menjëhershëm në rast dyshimi dhe konfirmimi të virusit #Covid19 dhe mbi të gjitha VAKSINIM • VAKSINIM • VAKSINIM, si arma më e fuqishme për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të shpëtuar jetë!
#VaksinohuSOT
#KohaËshtëTANI
#ShqipëriaBuzëqesh”, shkruan Manastriliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,134,085 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 496,714 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.
Në ditën e gjashtë të javës së vaksinimit të hapur për moshën +18 vjeç janë kryer 10,832 vaksinime. Java e hapur e vaksinimit mbyllet ditën e sotme, të gjithë qyetetarët mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, deri në 8 të mbrëmjes për të kryer pa kufizim vaksinën antiCovid.