Kostoja e rindërtimit të komuniteteve të përmbytura në Gjermaninë perëndimore do të shkojë në miliarda euro, njoftoi sot ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, gjatë një vizite në rajon. “Kjo është një situatë e jashtëzakonshme që ne mund ta kapërcejmë vetëm me një punë të palodhur këtu dhe me një përpjekje të madhe kombëtare”, tha Seehofer, në qytetin e Bad Neuenahr-Ahrweiler.

Numri i viktimave të konfirmuara në Ahrweiler ka arritur në 117. “Të paktën 749 të tjerë u plagosën”, tha një zëdhënës i policisë në Koblenz. “Shumë të tjerë mungojnë, megjithëse nuk dihet, sepse komunikimet në rajon janë ende të dobëta”, shtoi ai.

Përmbytjet e javës së kaluar goditën gjithashtu pjesë të shtetit fqinj, Nordrhein Westfalen, duke vrarë 46 persona. Përtej kufirit, në Belgjikë, mbi 30 persona vdiqën. Si një masë paraprake, pjesë të qyteteve të Swisttal dhe Rheinbach, pak poshtë digës Steinbach në kufirin me Rheinland-Pfalz, janë evakuuar.