Mero Baze

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të spastrojë gërmadhat ligjore të krijuara mbi gërmadhat e Teatrit Kombëtar pas prishjes së tij, duke pezulluar ndërtimin nga Bashkia e Tiranës deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka shfuqizuar ligjin special nr. 37/2018, që autorizonte ndërtimin përmes procedurës me PPP të Teatrit Kombëtar si dhe VKM nr. 377 /2020 që i jep Bashkisë së Tiranë pronësinë mbi rreth pesë mijë metra katrore tokë “me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar”.

Në fakt ligji i shfuqizuar është thjesht një pastrim nga kaosi ligjor rreth Teatrit,pasi vet Bashkia ka heq dorë nga ai ligj, pasi hoqi dorë nga ndërtimi me PPP i Teatrit dhe kërkoi fonde nga qeveria dhe donatorët.

Po ashtu dhe dhënia e pronësisë së tokës së Teatrit për Bashkinë nuk ka më vlerë, pasi ajo do të përdorej si kapital për të negociuar PPP për ndërtimin e Teatrit.

Pra nga pikëpamja e efektit ligjor nuk është se prish ndonjë punë. Ajo që duket e diskutueshme ka të bëj me faktin se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një VKM, që është kompetencë ekskluzive e Gjykatës Administrative dhe jo Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata po ashtu hedh poshtë kërkesën e Ilir Metës që prishja e Teatrit të konsiderohet antikushtetuese.

Në këto kushte vendimi i Gjykatës i lë pronësinë mbi truallin e Teatrit, Ministrisë së Kulturës, dhe i lë qeverisë, autoritetin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, por e ndalon fillimin e punimeve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë aspekt Gjykata ka bërë një punë të mirë për të pastruar gjithë gërmadhat ligjore të krijuara nga iniciativa të ndryshme të qeverisë dhe bashkisë nën presionin politikë të opozitës rreth kësaj çështje dhe e ka rikthyer atë aty ku nisi tek qeveria.

vendimi rikthen pronën e Teatrit tek Ministria e Kulturës dhe përsa i përket ndërtimit të Teatrit të ri nuk ka asnjë efekt. Ai është në dorë të vullnetit të qeverisë për ta ndërtuar. Dhe nuk më duket se qeveria ka heq dorë nga kjo ide.