Aksioni i shembjes së ndërtimeve pa leje, që ka nisur fillimisht me zonat bregdetare, do të shtrihet në mbarë vendin. Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka paralajmëruar nga Pogradeci se nuk do të tolerohet asnjë ndërtim i paligjshëm nga veriu në jug. Sipas tij, jo vetëm vija bregdetare është vënë nën zaptimin e ndërtimeve pa leje, por edhe zona të tjera turistike liqenore, zona pyjore e parqe kombëtare.
Hartën e ndërtimeve pa leje që do prishen ndërtime përfshin të gjithë territorin nga Vermoshi deri në Konispol. Fakti që ka vijuar nga grykëderdhja e Bunës e deri në Ksamil, tregon se si procesi do të vazhdojë. Është vepruar me zonën bregdetare si fillim, pasi presioni i ndërtimit ka qenë më i madh, por për fat të keq ndërtime të tilla ka edhe në zona turistike liqenore, në Theth, zona pyjore, parqe, parkun e Divjakës kështu që kjo punë midis shumë institucioneve policisë, INUK, kadastrës do vijojë edhe në këto zona. As nuk dua të tremb njeri më shumë se ç’duhet, as nuk dua që njërit që e dinë deri ku e kanë bërë dëmin të flenë të qetë, por dua të them është se ata duhet të ndalen, stop mos vazhdoni.
Nga Pogradeci, ku ishte i pranishëm në legalizimin e një pallati, Lame tha se edhe këtu nisi legalizimi i pallateve të braktisura pronarët e të cilëve kanë falimentuar dhe në mungesë të legalizimit nuk mund të shesin dot as apartamentet që kërkohen nga qytetarët.
Tashmë jemi në Pogradec ku kemi nisur legalizimin e pallateve të braktisura dhe më duhet të them që këtu ka shumë pallate të tilla. Pallate që kanë shkelur lejen, kanë tejkaluar lejen e ndërtimit, janë fare pa leje, nuk gjejmë ndërtuesit apo ka falimentuar ndërtuesi dhe i ka braktisur. E filluam në Pogradec me një rast të lehtë pasi kishim ndërtuesin, por ka shumë raste të vështira të tjera. Duke qenë se është qytet turistik dhe ka pallate të tilla që i shërbejnë fluksit të turizmit dhe për pasojë duke mos pasur legalizim dhe certifikatë pronësie nuk i shesin dot tek kërkuesit nga qytetet e tjera.
Prej disa javësh, në të gjithë vendin, vijon operacioni për lirimin e hapësirave të zaptuara në vijën bregdetare nga çadrat e shezlongët pa zotëruar leje, e për këtë janë proceduar penalisht edhe administratorët e hoteleve përgjegjës.