Rudina Hajdari mbajti sot fjalën e fundit në Kuvend si deputete. Gjatë fjalës së saj Hajdari iu bëri thirrje gjithë politikanëve që të çojnë vendin përpara dhe të mos shikojë partinë, por të mendojnë për vendin, për t’i dhënë fund tranzicionit që ajo e konsideroi të tejzgjatur.
“Ne duhet të bëjmë një reflektim, Shqipëria ke nevojë për më shumë demokraci, për më shumë fuqi në vendimmarrje. Sot është e kundërta, modeli i suksesit që sot ecën përpara është horri me makinën e shtrenjtë, apo modeli i servilizmit, më i përbuzur që shqiptarët nuk duhet ta përfaqësojnë. Ne duhet të shkojmë përtej këtyre modeleve të mbrapshta që vijnë në këtë sallë për të përfituar nga taksat dhe nuk bëjnë asgjë për vendin. Kemi 30 vite me këta njerëz që e kanë çuar Shqipërinë në këtë maskaradë ku nuk bëhet asgjë për përparimin. Sot është një thirrje e sinqertë, çlirojeni vendin nga ky mallkim 30 vjeçar dhe jepini shqiptarëve atë që i meriton duke ia lënë atyre në dorë që të zgjedhin deputetët. I kemi të gjitha potencialet për ta zhvilluar këtë vend dhe zhvillimi duhet të ecë përpara. Mos shikoni më partitë, por vendosni vendin në vend të parë dhe jepini shqiptarëve demokracinë e munguar. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë e të kujdesemi që vendi të ecë përpara dhe jo partia, të dalim nga tuneli i tejzgjatur i tranzicionit”, tha Hajdari.
Hajdari komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi herësin, duke e konsideruar si të drejtë në dobi të fuqizimit të qytetarëve shqiptarë.
“Vendi i Gjykatës Kushtetuese i drejtë për qytetarët shqiptarë dhe kurorëzoi një betejë shembullore që kemi bërë me disa kolegë për hapjen e listave të deputetëve në zgjedhjet parlamentare. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë kur thoshim se ndryshimet e Kodit Zgjedhor në minutë të fundit dhe duke futur atë pjesë të hiles, Herësin në Kodin Zgjedhor duke i mbyllur listat dhe duke ja dhënë në dorë kryetarit të partisë për t’i bërë listat e kandidatëve. Ky vendim është i drejtë në dobi të fuqizimit të qytetarëve shqiptarë. Por nuk duhet të jemi naivë sepse ju do sajoni ndonjë mënyrë tjetër për t’i mbajtur listat e mbyllura. “, shtoi ajo.