Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Arben Vitia pas vaksinimit me AstraZeneca u ka kërkuar njerëzve që të bëjnë të njëjtën gjë. Gazeta Ekspress shkruan se Vitia gjatë fjalës së tij, ka thënë se të gjitha vaksinat që Kosova ka marrë janë të aprovuara.

“Le të harrojmë vaksinën AstraZeneca, Pfizer, Moderna. Sot ka vetëm vaksina kundër COVID-19 të aprovuara nga EMA. Vaksinohuni se vetëm kështu ja dalim. Ne kemi vaksina kundër Covid-19 në stoqet tona. Kemi doza të mjaftueshme dhe për ne të dy vaksinat janë të sigurta sepse janë të aprovuara në EMA. Të gjithë qytetarët që vinë do të marrin vaksinë të sigurtë, a është ajo AstraZeneca apo Pfizer, ne nuk duhet ta bëjmë këtë pyetje”, ka shtuar ai.

Në lidhje me efektet anësore që ka shkaktuar vaksina e AstraZenecës, Vitia ka thënë se deri tani në Kosovë, kjo vaksinë nuk ka pasur dhënë asnjë efekt anësor. Më tej ai gjithashtu është shprehur se kanë marrë vaksina të sigurtë dhe të aprovuara nga EMA dhe jo vaksinat ruse dhe kineze.

“Akoma nuk kemi asnjë efekt serioz nga asnjëra vaksinë. Qytetarët duhet të jenë të bindur se ne do të mbajmë vetëm vaksina të sigurta. Ministria e Shëndetësisë e bënë të qartë se Kosova është një nga vendet e radha në rajon dhe më gjerë që nuk ka pranuar vaksina të paaprovuara. Ne kemi dhe do të marrim vetëm vaksina të aprovuara, nuk do të marrim as Ruse e Kineze. Kjo ka të bëjë me sigurinë e vaksinave dhe sigurinë e shëndetit të qytetarëve”, ka shtuar ai.

Nga ana tjëtër për qytetarët që kanë hezituar të marrin vaksinën e AstraZenecës, ai ka thënë se nuk ka asnjë arsye.

“Një numër i qytetarëve kanë hezituar për të marrë dozën e parë AstraZeneca. Natyrisht nuk kanë pasur asnjë arsye. Këtu kanë kontribuar disa individë të pandërgjeqshëm që po i shkaktojnë dëme procesit të vaksinimit e shëndetit publik. Unë ju bëjë thirrje qytetarëve që vaksinat janë të sigurta, ju lutem aplikoni e vaksinoheni”, ka deklaruar ai.