Gjykata e Vlorës ka lënë në burg njërin nga tre vëllezërit të cilët dhunuan gjykatësin në Vlorë. Masa arrest në burg është vendosur për Fatosh Myslymin, ndërsa për dy vëllezërit e tjerë Elmaz dhe Myslym Myslymi është vendosur masa arrest në shtëpi.

Dalja e tyre nga gjykata u shoqërua me të bërtitura dhe ndërhyrje të familjarëve, të cilët tentuan të hapnin edhe derën e makinës së policisë, teksa thërrisnin se në vend të tyre duhej të ishte gjyqtari dhe jo ata.

Kujtojmë se ngjarja është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku pas një vendimi të dhënë, gjyqtari Arqile Basho 63-vjeç është dhunuar nga të paditurit.

Tre vëllezërit kanë hedhur akuza në drejtim të gjykatësit duke pretenduar se po i grabit pronën dhe se sipas tyre vendimi i gjykatësit është dhënë kundër tyre.

Çështja kishte të bënte me një objekt që thuhet se është marrë nga një firmë ndërtimi për të bërë pallat.

Çfarë dëshmoi më herët një nga vëllezërit:

“Bëhet fjalë për një shtëpi që banojnë, që na e ka dhënë firma, na e ka dhënë me kontratë sipërmarrje, i ka shitur të gjitha 2 herë hyrjet tona firma, ca bën firma tani bashkë me këta, na hedhin në gjyq ne.

Ne kemi 8 vjet në gjykata. Ka dhënë një vendim të jashtëligjshëm, na grabit pronën me vendim gjykate, ia jep një tjetri që e ka shitur firma për herë të dytë, nuk na jepte shpjegim pse e ka marrë këtë vendim, e kemi ndaluar që të na jepte shpjegim, nuk e dhunuam, mua po më nxjerr në rrugë.

Ky do më grabisë pronën, nuk kam shpresa, edhe çështjet e tjera i merr ky, përderisa i merr ky, ka diçka që nuk shkon, është e dyshimtë, 3 gjyqe të më marrë mua rresht ky gjyqtar, i merr në mënyrë korruptive, se një gjyq e ka marrë dhe na e ka dhënë kundra, pse duhet të marrë prap”, ka dëshmuar një nga vëllezërit.

Mbi tre vëllezërit e arrestuar rëndon akuza për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, kryer në bashkëpunim.

Kujtojme se tre vëllezërit Myslimi e në veçanti më i vogli i tyre Myslym Myslymi njihen në Vlorë si miqtë e Presidentit Meta, i cili mikut të tij Myslimit i kandidoi edhe vajzën Grisejda Myslymi në listën e kandidatëve për deputetē të LSI në Vlorë, e madje edhe i drejtoi dhe bëri gjithë fushatën, duke mbledhur e vënë në mbështetje të saj gjithë stafin presidencial dhe shumë eksponentë me probleme me ligjin nga Tirana.

Presidenti Meta dhe Myslim Myslimi njihen nga koha kur te dy ushtronin sportin e peshengritjes, madje pak kohë më parë i dha atij edhe dekoratën e lartë “Mjeshtër i Madh”!/ JavaNews