Nga Baton Haxhiu*

Unë e kam pas mundësinë me qëndru në Perëndim, kudo dhe me poste profesionale. Por as nuk e kam mendu dy herë. Arsyeja kryesore përse nuk largohem nga Kosova, është se këtu çdo gjë ngjan si mision që është përtej teje. Është njëfarë fati kur je në një moment historik që mund të kontribuosh në gjëra që shkojnë më larg se mirëqenia jote individuale. Unë mendoj se nevoja kryesore e individit është “nevoja për të qenë i vërejtshëm” dhe askund tjetër nuk plotësohet më shumë kjo nevojë sesa në vendin tënd.

Edhe për shkak të situatës ku ndodhen vendet tona (të pakryera si shoqëri e shtete), mundësia e ndërhyrjes është shumë e madhe dhe përmbushja gjithashtu. Neve nganjëherë disa vlera që me gjithë forcën mundohen të ruhen në Perëndim, siç është patriotizmi dhe atdhedashuria, na i bëjnë si ndjenja tribale. Ne këtu, gabimisht, shumë shpesh mendojmë se kultivimi i ndjenjave subjektive për vendin është folklorizëm, por të jetuarit jashtë të bën të kuptosh se në fakt vendet më të zhvilluara e mirëmbajnë e kultivojnë dhe investojnë shumë në rrënjosjen e këtyre ndjenjave.

Gjithashtu, kur je jashtë vendit, e kupton se momenti pa histori është i pakuptimtë, d.m.th. gjërat duhet ta kenë narracionin e tyre paraprak për të qenë të rëndësishme si moment. Është stërmundimi gjatë rrugës për ta arritur momentin që e sjell lumturinë, jo vetë momenti. Dhe ne i kemi rrëfimet tona në vendet tona. Jashtë, sado të suksesshëm, jemi njerëz pa rrëfime, paçka se mund ta kemi momentin. Jemi nomadë, të huaj. Dhe jo të huaj si gjeografi, apo racë, të mos keqkuptohem. Por, të huaj si tregim. Duhet pasur parasysh edhe një gjë: bota nuk është aq e hapur, aq kozmopolitane siç supozojmë ne.

Kudo që të shkosh, dallimi të bëhet i vërejtshëm. Ta thuash të kundërtën ose është gënjeshtër, ose snobizëm. Nuk po them se përjashtohesh, por konstatohesh.Nëse je person që krejt çfarë mendon është kryekeput mirëqenia jote dhe këtu po nënkuptoj mirëqenia e barkut, atëherë po, ik jashtë se gjërat janë më të thjeshta. Por, nëse qëllimet e tua si njeri, si qenie që prezanton më shumë sesa veç cikël biologjik, atëherë është e pakuptimtë ta bësh betejën diku tjetër. Ta shfrytëzosh platformën po. Por, jo të përhumbesh, sepse mbetesh abstrakt.

Zhgënjimi, dhe atë shumë i madh, ekziston, por është pikërisht ai zhgënjim që jep arsyen kryesore përse beteja jote është ballafaqimi me faktorët që sjellin atë zhgënjim dhe jo ikja. Nuk mund edhe të më thuash që je shume i zoti, intelektual, karakter, dhe në fund të ikësh pikërisht nga beteja për karakterin, intelektin. Ikja dhe intelektualiteti nuk kanë gjë të përbashkët. Okej, ik, dhe bëhu profesionist i madh diku tjetër, por intelektual nuk do bëhesh kurrë, sepse ke refuzuar ta bësh betejën dhe kjo s’ka lidhje me intelektualin.

Një shembull. Arben Xhaferri, a nuk do të ishte sociolog i përmasave botërore po të merrej vetëm me studimin, i shkëputur nga konteksti në të cilin është rritur? Patjetër që po. Por ai ka zgjedhur ta bëjë intelektualin patriot para sociologut profesionist. Kush ikën, mund t’i tregojë vetes arsye sa të dojë, por thellë-thellë secili e di se ka braktisur betejën e tij personale dhe në njëfarë forme ka braktisur veten. Por, vetëm edhe një gjë. Nuk po them se është mëkatare të largohesh, e kam menduar edhe vetë normalisht. Këtu futet edhe rrugëtimi pastaj, njerëzit që takon dhe të inspirojnë, njerëzit që të japin shansin. Por ikja, nëse duhet të jetë alternative, duhet të jetë krejt e fundit, pasi që janë shterur të gjitha të tjerat.

*Fjalim në ceremoninë e diplomimit të UET- 2021