Vendoset sot guri i themelit për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë”, ku i pranishëm është kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ministrja tha se ndërtimi i maternitetit te ri “Mbretëresha Geraldinë” do të zhvillohet në 3 faza dhe do të zgjasë për 3 vite. Materniteti i ri do të ofrojë shërbim me standarde europiane dhe risia do të jetë ndërtimi i qendrës së re të prematurëve.

“Me këtë ndërtim të ri do të rrisim kapacitete spitalore, numri i shtretërve do të shkojë në 360 dhe atë në terapinë intensive do të dyfishohet. Do t’i shërbehet me shumë se 20 mijë pacientëve në vit. Nga 6 salla lindjesh shkojmë në 10 salla lindjesh të standardeve europiane. Qendra e prematuritetit është risia, kjo qendër unike do të rrisë cilësinë e shërbimit, në projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin do të ndërhyhet në 3 pale, ndërtimi i ri që do të jetë me 3 kate dhe një nëntokë ku është laboratori, rikonstruksioni i plotë i maternitetet dhe do të ruhen detajet e arkitekturës teknike në fasadën e saj dhe hapësirën e brendshme të saj dhe do të zgjerohet gjinekologjia. Do të përfundojë në 3 vite, dhe do të kthehet në një kantier të madh”, tha Manastirliu.