Përmes një akti normativ qeveria rishikoi buxhetin për vitin 2021 duke rritur planifikimin për të ardhurat dhe shpenzimet. Nga ana tjetër qeveria ndryshoi edhe Ligjin Organik të Buxhetit, me qëllim që të krijonte një hapësirë fiskale të nevojshme dhe të domosdoshme për vitin 2021. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se ofrimi i stimujve fiskalë nga krahu i shpenzimeve buxhetore, si dhe reagimi i shpejtë me masat e ndërmarra nga qeveria, si ndaj tërmetit, edhe ndaj pandemisë, dhanë rezultate vitin e kaluar.
Sipas saj, borxhi i ri do të përdoret për investime në infrastrukturë, ujësjellës dhe rrugë, u shpreh ministrja, e cila premtoi se, borxhi publik në raport me PBB-në, do të arrijë 70% në vitin 2025.
Denaj, në një intervistë në medie, theksoi se pavarësisht këtij përjashtimi të përkohshëm, vetëm për vitin aktual, objektivi madhor i Qeverisë është për ulje të pandalshme të Borxhit Publik në periudhën afatgjatë deri në arritjen e objektivit final. Në parashikimet buxhetore afatmesme, pritet reduktimi gradual i borxhit dhe synohet që, në vitin 2025, të jetë në nivelin e 70%.
”Me një tkurrje me vetëm 3.3% të PBB-së nga 6.1% e parashikuar nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe me një trend pozitiv të zhvillimeve në tregun e punës është e nevojshme të mendosh se ofrimi i stimujve edhe për këtë vit, të sigurojë një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë së vendit. Në frymë edhe të udhëzimeve fiskale të Komisionit Evropian për vendet e Bashkimit Evropian, të datës 2 qershor 2021, është rekomanduar shtrirja e aplikimit të përjashtimeve fiskale gjatë 2021-2022, me synim forcimin e potencialit të rritjes ekonomike dhe punësimit, si dhe përmirësimit të financave publike në afatmesëm.Pavarësisht këtij përjashtimi të përkohshëm, vetëm për vitin aktual, objektivi madhor i Qeverisë është për ulje të pandalshme të Borxhit Publik në periudhën afatgjatë deri në arritjen e objektivit final”, tha ajo.
Denaj bëri të ditur se, “përmes ndryshimeve në buxhet kemi alokuar 3 miliardë lekë në funksion të procesit të vaksinimit masiv të popullsisë, si e vetmja përgjigje ndaj këtij virusi, në një kohë sa më të shpejtë, sipas prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Vaksinimit”.
Ndryshimet sigurojnë njëkohësisht, edhe vijimin e pagesës së familjeve të dëmtuara nga tërmeti, me një shtesë në masën 500 milionë lekë për qiranë e banesave. “Shuma prej 10.3 miliardë lekësh, e shpërndarë mes projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së Unazës së Tiranës, Ujësjellës-Kanalizime dhe infrastruktura rurale e zhvilluar nga FSHZH, do të ketë impakt të drejtpërdrejtë këtë vit”, shtoi ajo.
Ministrja Denaj vuri në dukje se qeveria do të jetë në lartësinë e duhur për të përballuar çdo krizë, nëse situata me pandeminë do të marrë një drejtim tjetër. “Shëndeti i çdo shqiptari dhe mundësia për të rritur punësimin dhe për të zhvilluar ekonominë gjatë kësaj periudhe të vështirë, janë fokus i shpenzimeve të rritura buxhetore”, deklaroi ajo.