Nga sot nis zbatimin faza e dytë e Fiskalizimit që përfshin transaksionet pa para në dorë ndërmjet bizneseve (B2B). Tashmë këto biznese duhet të lëshojnë vetëm fatura elektronike.Referuar të dhënave të administratës tatimore, numri i tatimpaguesve të cilët pritet të hyjnë në procesin e Fiskalizimit më 1 korrik është rreth 34.000.
Fiskalizimi është reforma më e rëndësishme që Administrata Tatimore ka ndërmarrë në këto 10 vitet e fundit dhe si çdo reformë, parashikon vështirësitë e veta në përthithje nga ana e biznesit për një periudhë tranzitore.
Administrata Tatimore thotë se qasja ndaj bizneseve do të jetë mospenalizuese, por kjo nuk do të thotë që biznesi duhet të mos përmbushë detyrimet e veta për të qenë në rregull me kërkesat e Fiskalizimit.
Bizneset duhet të kenë përmbushur kërkesat minimale të Fiskalizimit, të tilla si pajisja me certifikatë elektronike, të kenë regjistruar të dhënat e veta në Self-Care, të jenë pajisur me një soft për të lëshuar faturat.
Nëse subjektet do të kenë problematika në kuptueshmërinë e ligjit, në procedurat e tyre të brendshme të lëshimit të faturave, Administrata Tatimore thotë se do të jetë aty për t’i ndihmuar, në mënyrë që këto problematika të tejkalohen dhe pa pasur një qasje penalizuese.
Që prej janarit të këtij viti bizneset që lëshojnë fatura me institucionet shtetërore kanë qenë të detyruara të përdorin sistemin e ri të faturës elektronike. Ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.