Durrës, 21 Korrik – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Sukthit, në periferi të Durrësit, ku ka bërë apel për qytetarët të vaksinohen, për t’u mbrojtur nga Covid19, pasi vaksina mbron edhe nga variant i ri Delta. Manastirliu tha se janë 7 njësi të lëvizshme vaksinimi që operojnë kryesisht në Tiranë dhe Durrës, për të rritur mbulesën vaksinale. “Mjekët e familjes kanë bërë një punë shumë të mirë për të lajmëruar të gjithë qyetetarët. Nga ana tjetër, janë 7 njësi vaksinimi, të cilat operojnë kryesisht në zonën e Tiranës, Durrësit por edhe në qytete të tjera, për të rritur mbulesën vaksinale dhe fokusi ynë do të jetë pikërisht në këto qytete, ku mbulesa vaksinale ende nuk është shumë e lartë dhe ka ende nevojë për të ndërgjegjësuar popullatën dhe për të vajtur derë më derë, për të kryer procesin e vaskinimit, që është me rëndësi primare”, tha Manastirliu.
Duke folur për rrezikun e përhapjes të variantit Delta, Manastirliu tha se është një moment për ndërgjegjësim, pasi vaksinimi nuk është vetëm përgjegjësi e strukturave shëndetësore por edhe qytetarëve. “Tashmë me alertin e variantit të ri Delta është një moment për ndërgjegjësim, ku secili prej nesh, edhe në aspektin e strukturave shëndetësore por edhe sa i përket qyetetarëve, duhet të ndërgjegjësohen, pikë së pari për të mbrojtur shëndetin e tyre, por nga ana tjetër, duke mbrojtur shëndetin e tyre, mbrojnë edhe shëndetin e familjarëve, miqve, të afërmve. Ndaj, vaksinim, vaksinimin, vaksinimin, sepse vetëm nëpërmjet vaksinimit ne do mundemi të luftojmë virusin dhe të nuk do lejojmë që ai të përhapet dhe sidomos variantet e reja, që është edhe varianti Delta në qarkullim që e ka rritur shumë transmetueshmërinë dhe ne po e shohim që edhe në vendin tonë, kemi një rritje të lehtë të rasteve. Dhe për të thënë të vërtetën jemi të shqetësuar sepse rritja e rasteve, më pas sjell edhe rritje të hospitalizimeve e dhe kjo do të thotë që ne duhet të rrisim shumë vaksinimin, në mënyrë që të shmangim çdo rritje të hospitalizimeve dhe sigurisht që atë që ne nuk e duam, që janë fatalitetet. Ndaj pa asnjë hezitim, ftoj dhe një herë të gjithë qytetarët të mos e lënë për nesër vaksinën, të mos neglizhojnë në kryerjen e vaksinës sepse është jetëshpëtuese dhe na mbron të gjithëve”, tha Manasirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,082,424 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 472,886 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. Vaksinimi masiv vijon edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas vaksinimit në pikat e përqëndruara të vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore kudo në vend. Java e vaksinimit të hapur për qytetarët +18 vjeç vijon deri të dielën, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën anticovid.