Nga Marton Dunai nga Beogradi dhe Valentina Pop nga Brukseli/ Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë kritikuar Brukselin për ritmin e ngadalë të zgjerimit të BE-së, duke u zotuar për të shtyrë përpara zonën e tyre të udhëtimit dhe bërit biznes pa kufij, ndërsa presin që Blloku t’i pranojë ato. Aleksandar Vučić, Presidenti i Serbisë, tha në një intervistë se “Ne e dimë se ka lodhje nga zgjerimi në BE” dhe se “Ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë për veten (si alternativë), çfarë mund të bëjmë për njerëzit tanë, si mund të zgjerojmë tregjet tona”. Zoran Zaev, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, shprehu frustrimin që “BE nuk i përmbush” premtimet e saj, duke shtuar: “Ne duhet të përshpejtojmë përfitimet praktike për qytetarët tanë”. Edi Rama, i sapo ri-zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, e krahasoi punën me Brukselin me shfaqjen ekzistencialiste të Samuel Beckett “Waiting for Godot”, në të cilën dy burra përfshihen në një seri bisedash shpesh absurde, ndërsa parashikojnë ardhjen e dikujt që nuk vjen kurrë.
“Mini-Shengen” ballkanike, zona e udhëtimit dhe e bërit biznes, i modeluar sipas aranzhimit të udhëtimit të lirë të BE-së do të zbulohet zyrtarisht të enjten. Ajo do të përfshijë një lehtësim gradual të kufizimeve të udhëtimit, “korsi të gjelbra” më të shpejta në kufij, kohë të reduktuar të pritjes për mallrat dhe qasje më të lehtë për lejet e punës. Ekziston shpresa që zona e cila sipas Vučić do të krijohet para fundit të vitit, do të përfshijë përfundimisht Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa ajo mbetet gjithashtu e hapur për Kosovën me statusin e diskutueshëm. Udhëheqësi serb tha se rajoni i Ballkanit nuk mund të priste më që BE ta bashkonte atë, pasi ka përjetuar kon flikte etnike dhe fetare dhe mosarritje ekonomike që kur ish Jugosllavia u nda pas vitit 1991. Shtetet kanë për të bërë përparim domethënës përpara se BE t’i pranojë ato, siç janë reformat zgjedhore, gjyqësore dhe ekonomike, por ata mendojnë gjithashtu se rruga zyrtare është bërë shumë e rënduar. Vučić erdhi në pushtet me një platformë pro-BE, por ashtu si kolegët e tij ka përfunduar duke e parë Bllokun me zhgënjim në rritje. Vučić tha se qëllimi i zonës mini-Shengen ishte të ndryshonte narrativen për rajonin, si nga brenda, për të lehtësuar tensionet etnike, ashtu edhe nga jashtë, për të apeluar për anëtarësim në BE dhe më shumë investime. Ai shpjegoi se “Kur njerëzit kanë paga më të mëdha, ata do të mendojnë për një jetë më të mirë dhe jo për hijet nga e kaluara”. Maqedonia e Veriut e Zaev-it ndryshoi emrin për të respektuar ndjeshmëritë e Greqisë që është anëtare e BE, por ai tha se Brukseli kishte “dështuar” me rajonin. Maqedonia e Veriut u pranua në NATO vitin e kaluar, menjëherë pas ndryshimit të emrit, por BE nuk ka hapur ende bisedimet e pranimit me vendin.
Zaev tha se “Qëllimi përfundimtar është të jemi një vend anëtar i BE -së. Por derisa BE të vendosë, duhet të gjejmë mënyra për të vazhduar procesin e evropianizimit”. Rama tha se ata po shtynin përpara pa shtetet e tjera të Ballkanit “për të udhëhequr me anë të shembullit dhe për të mos u mbërthyer në një karikaturë të vogël të BE-së, ku për gjithçka nevojitet konsensusi dhe të gjithë mund të bllo kojnë diçka përmes vetos”. Komisioni Evropian, i cili drejton procesin e vlerësimit të përparimit drejt anëtarësimit në BE, tha se ai mbështet përpjekjet për të integruar të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në një treg të përbashkët rajonal, duke pasqyruar tregun e vetëm të BE dhe duke zbatuar rregullat dhe standardet e Bllokut. Një zëdhënës i komisionit tha se “Qëllimi përfundimtar, pranimi në BE, nuk ka ndryshuar”. Sa i përket ritmit të ngadaltë të anëtarësimit në BE, Komisioni tha se po u kërkonte qeverive kombëtare të ecin përpara me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut “sa më shpejt të jetë e mundur”. Të dy vendet duhet të kishin filluar bisedimet e anëtarësimit në BE vitin e kaluar, por ky hap është duke u bllokuar ende nga Bullgaria. Edhe nëse fillojnë negociatat, oreksi politik për zgjerimin e BE-së është shumë i ulët në qendrat e fuqishme të Bllokut, veçanërisht pasi Kancelarja gjermane Angela Merkel – një mbështetëse e integrimit ballkanik – po tërhiqet pas zgjedhjeve në shtator. Të tre udhëheqësit e Ballkanit vunë në dukje se ndërsa prisnin BE, SHBA kishte dhënë mbështetjen e saj të plotë për përpjekjet e tyre. Rama tha se “Ballkani që kemi sot mund të jetë shembulli më i ndritshëm – nëse jo i vetmi i ndritshëm – i politikës së jashtme amerikane. Liritë që gëzojmë sot në Ballkan… është para së gjithash produkti i tyre”.
Analistët kanë paralajmëruar gjithashtu se ndërsa koha po kalon – Maqedonia e Veriut (më parë Maqedonia) ka qenë kandidate për BE për 18 vjet, Serbia për nëntë vjet dhe Shqipëria për shtatë vjet – interesi i partnerëve të tjerë të mundshëm mund të rritet gjithashtu. Ivan Vejvoda, partner në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë tha se “Përveç Kinës dhe Rusisë, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë gjithashtu aktive në rajon”. Ai shtoi se kjo duhet ta bëjë “BE-në të vetëdijshme se u ka lënë hapësirë këtyre vendeve që të hyjnë në rajon dhe se ajo duhet të veprojë bashkërisht”.