Situata kaotike e krijuar në qytetin e Durrësit nga plehrat ka sjellë reagimin e qeverisë shqiptare. Këshilli i Ministrave ka shprehur gatishmërinë për të paguar diferencat e shpenzimeve për pastrimin e qytetit bregdetar, ndërsa ndër të tjera qeveria iu kërkon kryebashkiakëve të Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark.

Vendimi i Këshillit të Ministrave: MBËSHTETJEN FINANCIARE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NË BASHKITË E QARKUT TË DURRËSIT Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10431, datë 9.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e min istrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonominë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: Bashkitë e Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbjetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve. Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara. Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.