Nga Alfred Peza/ Ai kurrë nuk mori qoftë edhe njëherë të vetme, përgjegjësitë që i takonin, mbi supet e tij. As si ministër i transportit, kur ndërtohej Rruga e Kombit. As si ministër i Jashtëm, kur i falej deti Greqisë. As si ministër i Brendshëm, kur vriteshin 4 qytetarë të pafajshëm në bulevard më 21 janar. As si kryetar i Bashkisë së Tiranës, kur flinte veç gjumë. As si Kryetar i PD, kur humbte zgjedhjet e 2015, 2017 dhe 2019. E as pas 25 prillit, kur e la PD për herë të parë në histori, për 12 vjet me radhë në opozitë.
Lulzim Basha është një lloj unik politikani që nuk i del garant asgjëje, veç vetes për të qëndruar me çdo kusht e çmim në krye të opozitës, por pa e garantuar kurrë se do ta çojë ndonjëherë drejt fitores. Për çdo punë, ai e ka gati një alibi, për të mos e çuar atë deri në fund. Pas çdo dështimi, ai e ka gati një alibi, për të mos e marrë kurrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për çdo humbje, ai e ka gati një alibi, për të mos e parë asnjëherë problemin tek vetja por vetëm tek ata që e mundën.
Ndaj edhe tani pas humbjes në zgjedhjet e 2021, mos prisni që Lulzim Basha të pranojë ndonjë gabim tek vetja. Te njerëzit që e rrethojnë. Tek këshilltarët e tij mizerabël. Tek bashkëpunëtorët. Tek lista e kandidatëve për deputetë. Tek aleancat parazgjedhore. Tek strukturat drejtuese të partisë, nga qendra e deri në bazë. Tek vendimet e tij jorealiste. Tek strategjia totalisht e gabuar. Tek taktikat e paefektëshme. E deri tek ofrimi si ofertë të re për ndryshimin e Shqipërisë, të një listë të ndëshkuar njëherë nga shqiptarët me votë, e të pandryshuar asnjëherë që nga 2013.
Edhe tani që iu desh që të bënte një proces formal, për rikonfirmimin deri më 2025 të mandatit të Kryetarit të PD, Lulzim Basha nuk mori asnjë përgjegjësi për dështimet e së shkuarës. Shenjë e sigurtë se do të vijojë që ti udhëheqë opozitarët, me sukses të plotë si deri më sot, nga njëra humbje në tjetrën. Por nuk mbaron këtu. Atëherë kur shumëkush e justifikonte, se e bënte sepse i duhej të mbijetonte, ai vijon e vijon edhe tani kur duket se nuk ka asnjë arsye për tu justifikuar më.
Në prag të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar më 17 korrik, strukturave të PD i është kërkuar të plotësojnë disa formularë, ku të shpjegojnë se ku dhe kush gaboi. Një përpjekje kjo, për të nxjerrë disa përgjegjësi, në mënyrë që procesi i analizës së humbjes të ketë edhe ndonjë emër e mbiemër konkret. Por, raportet e dorëzuara tregojnë vetëm pakënaqësi për krerët e partive aleate, që nuk paskan dalë në terren për të kërkuar vota për listën e PD dhe nuk qenkan rakorduar, me udhëheqësit politikë të fushatës në qarqe.
Ndërsa një përgjegjës tjetër për humbjen përveç Shehit, Dules, Idrizit, Ndokës, Mediut, Dukës…, drejtuesit e PD paskan bërë edhe LSI-në. Refuzimi i Monika Kryemadhit për të dalë me një listë të përbashkët me Lulzim Bashën, “hodhi në erë mijëra vota dhe pamundësoi, marjen e mandateve të tjera”,- thuhet në këto raporte.
Konkluzioni?
E para, më në fund edhe forumet drejtuese të PD po e pranojnë masivisht, me shkrim madje, se paskan humbur në zgjedhje.
E dyta, megjithëse krejtësisht e njëanëshme, po pranohet se humbja e opozitës, ka jo vetëm emra të përveçëm por edhe shkaqe konkrete.
E treta, shkaqet e vërteta të humbjes burojnë brendapërbrenda vetë opozitës dhe ato nuk kanë të bëjnë aspak me mazhorancën socialiste dhe liderin e saj Edi Rama.
Këto konkluzione kanë rrjedhur pa dashje nga ana e vetë drejtuesve të PD, jo nga dëshira për ta pranuar qoftë edhe me dhimbje humbjen, por nga qasja sipas stilit të Lulzim Bashës për të gjetur vetëm alibi për të. Duke mos marë përsipër asnjë përgjegjësi për humbjen, nën shembullin e kryetarit të tyre, drejtuesit e PD kanë ofruar në raportet e tyre vetëm alibitë e saj.
Këtë radhë alibia e PD dhe e Lulzim Bashës, është gjetur në anën e gardhit opozitar, duke nisur kësisoj një lojë të re kungulleshkash brenda llojit. Shenjë e sigurtë se pas Kuvendit Kombëtar, as më 9 shtator kur të mblidhet Parlamenti i ri, PD nuk ka për ta parë realitetin në sy. Duke nisur kësisoj, një sezon të ri politik, sipas avazit të vjetër të gjetjes së alibive për çdo dështim që i pret.