Nga Ylli Pata
Sali Berisha dhe ndjekësit e tij, që prej shpalljes Non Grata nga ana e Departamentit të Shtetit, vijojnë refrenin e kërkimit të “provave”. Por vetëm të shikohet historia gjyqësore e Shkëlzen Berishës në tre shkallë gjykatash në SHBA, del përfundimin se në Amerikë provat jo vetëm janë publike, por kanë marrë edhe vendim të formës së prerë.
Në dhjetor të vitit 2018(Publikuar më 14 mars 2019), një Gjykatë e Shkallës së Parë në Florida, ka rrëzuar Shkëlzen Berishën, në kërkesën e tij, për të cilësuar si shpifje librin e shkrimtarit amerikan Guy Lawson, i cili është autori i romanit që rrëfen intrigën e tregtisë së municioneve me bazë të saj “punishshten e vdekjes në Gërdec”.
Publikimi i vendimit më 14 mars 2019, një ditë para përvjetorit të Gërdecit ishte një “rastësi” që për mjaft shqiptarë nuk u duk e tillë. Ndërkaq po në këtë kohë, në Tiranë u përfol se Sali Berishës dhe familjes së tij, i është refuzuar viza për në SHBA. Në një debat në Kuvend në atë kohë, Kryeministri Edi Rama pyeti Berishën: “Sali, ti me dasht, a e kalon dot Oqeanin?” Dhe Berisha u përgjigj me frazën se ai nuk dëshëronte të lëvizte.
Megjithatë, në shtatorin e vitit 2020, pra më shumë se një vit e gjysëm nga Shkalla e Parë, Gjykata e Apelit të Floridas la në fuqi vendimin e parë. Dhe vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Supreme e Shteteve të Bashkuara ka refuzuar që të marrë në shqyrtim rekursin e avokatëve të Shkëlzen Berishës për të rrëzuar dy vendimet e gjykatave të Florida-s. Kështu në ciklin e plotë gjyqësor, drejtësia amerikane ka rrëzuar kërkesën e Shkëlzen Berishës për të quajtur të pavërtetë gjithçka është shkruar në “War Dogs”, por nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së parë, vendimin e së cilës e kanë konfirmuar edhe dy shkallët e tjera, flet në thelb të çështjes së “Gërdecit” si histori korrupsioni. Thelb që nuk u hap dhe nuk u shqyrtua asnjëherë nga gjykatat shqiptare pas katastrofës ku u vranë 26 veta dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.
Shkëlzen Berisha, në sqarimet e tij i është shmangur gjithmonë thelbit dhe është marrë me detaje të parëndësishme. Nëse 6 muaj më parë, theksonte se gjykata amerikane ka vërtetuar se Efraim Diveroli, biznesmeni amerikan që u përfshi në tregtinë e fishekëve ka gënjyer, asnjëherë nuk u mor me thelbin që Gjykata e Floridas flet në arsyetim, se përse Shkëlzen Berisha është pjesë e kësaj historie trafiku dhe korrupsioni.
Ndërkaq, edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë, djali i Sali Berishës, komenton dhe përshëndet mendimin e pakicës së dy anëtarëve të Gjykatës, që thjeshtë kërkonin që institucioni ta shqyrtojë lëndën, e nuk merret me vendimin final, i cili është shumë i rëndësishëm. Gjykata Supreme e SHBA nuk e mori në shqyrtom, ngaqë e konsideron të drejtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Florida-s.
Po ç’thuhet në atë vendim?
Vendimi është marrë në Flordia në Dhjetor të vitit 2018, por ai ka qenë “i arkivuar” në heshtje deri më 14 Mars 2019. Nuk dihet pse Gjykata e Floridas vendosi ta bëjë publike atë për herë të parë më 15 Mars, ditën e shpërthimit të Gërdecit. Në argumentet e saj, gjykata hedh poshtë pretendimet e Shkëlzen Berishës se ai nuk është i përfshirë në trafikun e municioneve, duke ju referuar fakteve dhe inevstigimeve të mediave më të rëndëdsishme botërore si New York Times, dokumentari i Al Jazeera-s, shtypit lokal shqiptar dhe pasuron dhe më tej akuzat ndaj tij duke ju referuar librit të Lawson, i cili ka dëshminë e vajzës së Kosta Trebickës, e cila e konsideron Shkëlzenin, një vrasës të mundshëm të babait të saj.
Gjykata ka përshkruar në vendimin e saj, historinë e shkurtër të bizinesit të trafkut të armëve nga Shqipëria në të cilën është i përfshirë Shkëlzen Berisha, duke treguar historinë e dy djemëve amerikanë, Efraim Diveroli dhe shokut të tij, të cilin e përhskruan si një aferë korruptive ku ishte e përfshirë mafia lokale shqiptare.
Hedhja poshtë e padisë
Pikësëpari, gjykata hodhi poshtë padinë e Shkëlzen Berishës, bazuar në statusin publik të tij. Sipas saj, deklaratat e bëra në këtë rast kanë lidhje me shitjen e armëve dhe korrupsionin që prekte qeverinë shqiptare. Duke bërë një analizë të gjatë, gjykata del në përfundimin se paditësi mund të konsiderohet si një figurë publike, duke qenë se ai është djali i ish-kryeministrit të vendit. Por ajo vijon duke thënë se figurat publike në mënyrë vullnetare e ekspozojnë veten ndaj deklaratave të pavërteta që mund të bëhen ndaj tyre. Ndërkohë, paditësi akuzohet edhe për akte korruptive në çështjen e privatizimit të kompanisë energjetike shqiptare dhe lotarisë kombëtare të Shqipërisë.
Mungesa e provave nga paditësi Shkëlzen Berishës
Argumenti i dytë i dhënë nga gjykata e Floridas, lidhet me faktin nëse pala e akuzuar ka pasur apo jo qëllime dashakeqe ndaj paditësit. Sipas kësaj gjykate, paditësi nuk është në gjendje që të vërtetojë që pas deklaratave të bëra nga pala e paditur, qëndrojnë vërtet qëllime dashakeqe.
Ja si e përshkruan Gjykata e Florida-s, historinë e trafikut të armëve nga strumbullari i fabrikës së Gërdecit. “Në vitin 2005, i pandehuri Packouz filloi të punonte për AEY, Inc., një kompani e drejtuar nga miku i tij i fëmijërisë Diveroli.. AEY bëri paratë e veta duke ofruar oferta dhe duke përmbushur kontratat e prokurimit të armëve të vendosura online nga ushtria e Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2006, AEY fitoi një kontratë për të siguruar pajisje për ushtrinë afgane, një marrëveshje me vlerë rreth 300 milionë dollarë. Komponenti më i rëndësshëm i kësaj marrëveshjeje, ishte shpërndarja e 100 milionë fishekëve për automatik kallashnikov AK-47 në Afganistan.
Duke përdorur një ndërmjetës, AEY zbuloi këtë municion të kërkuar në Shqipëri, për shkak të çmimit të volitshëm. Plani i AEY ishte të përdorte një kompani ndërmjetëse që t’i blinte këta fishekë nga MEICO shqiptare për llogari të saj. Podrizki një shok fëmijërie i Diverolit udhëtoi për në Shqipëri dhe u takua me Ylli Pinarin, kreu i MEICO. Pinari i tregoi furnizimin me municion të epokës së Luftës së Ftohtë . Podrizki vuri re se disa nga paketimet e municioneve mbanin shenja kineze, një pengesë e mundshme ligjore, duke pasur parasysh se ekzistonte një embargo që ndalonte kompanitë amerikane të shisnin e blinin municione kineze. Për këtë qëllim, Podrizki angazhoi një biznesmen shqiptar, Kosta Trebicka, për të hequr municionin nga paketimi i tij origjinal dhe për ta vendosur atë në çanta plastike të papërshkrueshme dhe kuti kartoni.
Gjatë procesit, Trebicka zbuloi se ndërmjetësi i AEY, i kishte shitur municionin në AEY, pothuajse me dyfishin e çmimit që ai i pagoi MEICO-s. Packouz spekuloi se diferenca e çmimeve kishte të bënte me pagesat e ‘rryshfeteve’ për zyrtarët shqiptarë, ndoshta duke përfshirë edhe Pinarin. Në maj 2007, Diveroli mësoi rreth situatës dhe fluturoi drejt Shqipërisë për të negociuar drejtpërdrejt me MEICO. Diveroli dhe Podrizki u takuan me Pinarin në Tiranë, kryeqytetin shqiptar. Ata u takuan edhe me bashkëpunëtorin e biznesit Pinari, Mihail Delijorgji dhe një individ tjetër, përshkruar si ‘sypeshkaqen’, në të njëjtën moshë si Podrizki, i cili heshti dhe nuk u prezantua.
Gjatë këtij takimi, Diverolit ju kërkua nga mafjozët shqiptarë, të prishnin kontratën me Kosta Trebickën dhe ata i thanë se do t’i ulnin paksa çmimin. Më vonë, Diveroli dhe Trebicka i thanë Podrizkit se njeriu i heshtur dhe i paidentifikuar në takim ishte biri i kryeministrit shqiptar. Pas marrëveshjes së re, të arritur në takim, kompanisë së Delijorgjit iu dha marrëveshja e ripaketimit. Trebicka, duke qenë i prerë, filloi të komunikonte me gazetarët, duke përfshirë edhe në New York Times, në një përpjekje për t’i ekspozuar ata që po përfshiheshin në marrëveshjen e AEY dhe që e nxorrën atë jashtë loje. Në një përpjekje për të mbledhur prova inkriminuese, Trebicka regjistroi një nga telefonatat e tij me Diverolin. Gjatë kësaj thirrjeje të regjistruar, Diveroli i tha Trebickës se ai nuk mund ta rikthejë atë në marrëveshje, sepse korrupsioni që rrethonte atë ‘u ngjit më lart tek kryeministri dhe djali i tij’.
‘Nuk mund ta luftoj këtë mafie’, tha Diveroli Trebickës, duke shtuar: ‘Ishte tepër e madhe. Kafshët sapo dolën jashtë kontrollit’. Gjykata e Floridas përshkruan në argumentet e saj dhe Shpërthimin e Gërdecit, një histori që zhvillohej paalelisht me trafikun e armëve dhe ku ishte sërisht i lidhur Shkëlzen Berisha me Mihal Delijorgjin dhe Minstrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjykata ka theksuar se më 15 mars 2008, një fabrikë ku punëtorët po demontonin municione për skrap shpërtheu në afërsi të Gërdecit. Shpërthimi vrau 26 njerëz dhe plagosi qindra të tjerë.
“Hiroshima politike” e Gërdecit çoi në arrestimet dhe dënimet e shefit të MEICO Pinari dhe bashkëpunëtorit të tij Delijorgji, të cilët u gjetën të përfshirë në marrëdhënie korruptive që rezultuan në grumbullimin e municioneve të rënda të shkatërruara nga civilët e pa trajnuar në mes të një zone banimi . Ndërkaq, Gjykata e Florida-s, e ka thelluar hetimin e saj, duke bërë të ditur se nuk është vetëm Lawson, ai që ka shkruar për aferën ku është i përfshirë Shkëlzen Berisha, por edhe The New York Times, Rolling Stones, Al Jazeera, e disa media të tjera botërore e shqiptare, të cilat Gjykata e Shkallës së Parë e Floridas, i citon si bazë në vendimin e saj. Pra si prova të certifikuara… Pra thënë shkoqur e qartë, Gjykatat e SHBA kanë provuar përfshirjen e Shëkzenit dhe babait të tij në “korrupsion të nivelit të lartë” në krejt ciklin e tyre nga shkalla e parë në Gjykatën Supreme.