Kryeministri Edi Rama, para ministrave të kabinetit të tij, tha se 30-50% e tenderave janë vetëm me një operator ekonomik. Sipas Ramës, problem është ‘qepja me dorë’ e kritereve për kualifikimin që ndikojnë, sipas tij, në pjesëmarrjen dhe ngushtimin e konkurrencës së operatorëve. Po ashtu, një tjetër problematik, sipas kryeministrit, është edhe fakti se punonjësit e angazhuar në këto procese, kanë probleme në kuptimin e vetë procesit.
“Në problematikën e prokurimeve, armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, që ndikojnë në uljen e pjesëmarrjes dhe në ngushtimin e hapësirës së konkurrencës së operatorëve ekonomik në procedurat e prokurimit publik. Janë asistuar nga APP 936 proceduara dhe nga këto, mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56. Nga ana tjetër, analiza e të gjitha procedurave të zhvilluara nga institucionet, rezulton se nga 25, 21 prej tyre, 30-50% të procedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik, pavarësisht se procedura është e hapur. Po ashtu, është me rëndësi për ta ditur q hetimet administrative të kryera nga Agjencia e Prokurimeve Publike, gjatë viti 2020 dhe 6 mujorit të parë të 2021 janë hetuar 57 procedura prokurimi. Rëndësi ka se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës, shpallje fitues e operatorëve që nuk plotësojnë kriteret dhe për këtë janë dënuar me gjobë 41 punonjës, dhe masë disiplinore 91 punonjës. Në këtë moment është shumë e rëndësishme që të bëhet një analizë serioze e kapacitete njerëzore të angazhuara në këto procese sepse bie në sy niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit, që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe degradon procesin në rezultate të shëmtuara”, tha Rama.