Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp në Shkup tregoi 3 prioritetet kryesore që ka bashkimi i Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Rama nënvizoi se shtrirja e një rrjeti hekurudhor, energjia elektrike dhe dixhitalizimi, janë sfidat e së ardhmes.
“Kemi një boshllëk të madh në infrastrukturën hekurudhore. Të treja vendet mund të vënë në dispozicion burimet më të mira njerëzore, për të pasur një vizion dhe program të pastër zhvillimi. Secili vend ka sovranitetin e vet.
Ne mund t’i drejtohemi komisionit Evropian në atë që lidhet me hekurudhat. Për energjinë, jemi mjaftueshëm të pasur për të bërë hapat e duhur. Do të punojmë bashkërisht, për të kuptuar se çfarë do të bëjmë në interesat kombëtare të çdo vendi dhe së treti për dexhitalizimin.
Këto janë tre planet e mëdha tona. Të vetëm jemi të vegjël dhe e kemi zërin më pak të dëgjueshëm. Së bashku jemi më të konsiderueshëm sa i përket potencialit dhe jemi më të fortë. Është shumë domethënëse”, tha Rama.