Arkitekti italian Stefano Boeri, së bashku me nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektuan ecurinë e punimeve në lagjen e re “5 Maji”, e cila po ndërtohet për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti I 26 nëntorit 2019. Boeri tregoi disa detaje nga projekti.
“Arkitektura, në këtë rast, përdor elementë të gjelbërimit, natyrës. Në lagjen e re “5 Maji” do të ketë të gjitha shërbimet në dispozicion të komunitetit. Gjithashtu, po përfshihet ideja për përdorimin e hapësirave publike të hapura, si çatitë, oborret, ballkonet”, tha Boeri.
Arkitekti italian vlerësoi arkitektët e rinj shqiptarë që po zbatojnë me profesionalizëm projektin e realizuar prej tij.
Ndërsa, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani shprehu bindjen se kjo do të jetë një nga lagjet më të mira, me të gjitha shërbimet e nevojshme, në kryeqytet.
“Do të jetë një lagje e mirëfilltë, me të gjitha shërbimet dhe hapësira të gjelbra. Hapësirat e përbashkëta janë jo vetëm për njerëzit që janë në këtë zonë, por edhe për ata që punojnë dhe ata që kalojnë kohë gjatë ditës”, nënvizoi ajo.
Lagjja e re e projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, po ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë. Ajo do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës, me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore.
Nënkryetarja Ristani dhe arkitekti Boeri vizituan edhe kantierin për ndërtimin e shkollës “Vaçe Zela” në zonën e Don Boskos, e cila është pjesë e paketës së shkollave të reja që po ndërtohen në Tiranë.