James Rodriguez është në bisedime me Milanin për një transferim prej 10 milionë € nga Evertoni, sipas “Antena 2”. Mesfushori kolumbian, i cili u bashkua me “Toffees” nga Real Madridi verën e kaluar, ka një ofertë 3-vjeçare në tryezë nga kuqezinjtë e “San Siro”. Me largimin e “mentorit” të tij, Carlo Ancelotti nga Everton, me siguri edhe Rodriguez nuk ndihet rehat te klubi anglez. Serie A dhe një emër i madh si Milani e joshin shumë atë, ndaj ka dhënë miratimin personal për këtë lëvizje.

Tashmë mbetet në duart e dy klubeve për të sheshuar kërkesë-ofertën ekonomike. Kolumbiani shpreson të kalojë te Milani pas një viti të parë të përzier në Angli, duke shfrytëzuar mundësinë kuqezi për t’u kthyer në Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Milani po lufton për të arritur marrëveshjen e blerjes përfundimtare të Tonalit.

Kuqezinjtë paguan një tarifë prej 10 milionë € për ta marrë mesfushorin italian në huazim në sezonin 2020-2021 dhe tani duan të sigurojnë shërbimet e tij plotësisht për 10 milionë € shtesë. Sidoqoftë, Brescia nuk po pranon të bjerë nën vlerësimin e saj për Tonali, i cili e ndihmoi Milanin të përfundonte i dyti në Serie A.