Ish-kandidatja për kreun e PD-së, Edith Harxhi ka zhvilluar një takim me Asistent Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve Ambasadorin Philip Reeker. Në fokus të këtij takimi kanë qenë zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Kosovë, por pa lënë mënjanë edhe marrëdhëniet dhe partneritetin me SHBA. Ky takim vjen edhe për shkak të rolit që ajo ka pasur më herët si ish-zv.ministre e Jashtme.

“Dje pata një takim shumë të mirë me mikun tim Asistent Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve Ambasadorin Philip Reeker, me të cilin diskutuam zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë. Me Ambasadorin Reeker si një nga njohësit më të mirë të Ballkanit që prej Rambujesë dhe deri më sot, biseduam për përkushtimin e SHBA-ve në Shqipëri për shtet të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, nevojën për demokraci funksionale dhe investimet amerikane në vend”, shkruan Harxhi.

Ditën e djeshme, Reeker ka zhvilluar takime edhe më kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha, ku ndër të tjera u fol edhe për shpalljen e Sali Berishës ‘Non Grata’, si një tregues se SHBA e ka seriozisht në luftën ndaj korrupsionit.

Ndonëse, një vizitë zyrtare të këtij niveli, janë parashikuar edhe takime me presidentin e Reublikës, Reeker nuk e kishte përfshirë në axhendën e tij një takim me Ilir Metën, për motive të paqarta. Reeker e shmangu “ për shkak të axhendës së ngjeshur”, por përveç Harxhit, ka pasur kohë edhe për të takuar Princ Lekën dhe familjen e tij.