Në vendin tonë nuk është identifikuar asnjë rast me variantin e ri të virusit COVID, ‘Delta’, i cili është edhe më infektues. Kështu tha në një intervistë për Report Tv, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila nënvizoi se lajm i mirë është se vaksinat anti-COVID mund ta parandalojnë.

‘Varianti Delta është e mundur që të identifikohet nga ISHP, por përderisa është fillimi na duhet të jemi të sigurt dhe na duhet edhe nga laboratorët jashtë, deri tani nuk kemi të dyshuar për variantin Delta. ndryshimi me variantet e tjera është me infeksioz, Lajm i mirë është që vaksinat mund ta parandalojnë. Njerëzit duhet të vazhdojnë që të kenë në vëmendje vaksinimin, pasi është e vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e virusit.’- tha zv.ministrja.

Sa i përket zgjatjes së orarit të muzikës, një kërkesë kjo e bërë nga operatorët e bareve dhe culb-eve, Rakacolli tha se tashmë jemi një moment alerti sa i përket virusit Delta dhe se nuk mund të mendojnë për një shtim të orarit të muzikës.

‘Ne jemi në alert për Deltan dhe nuk mund të mendojmë për një shtim të orarit të muzikës për momentin. Nëse situata do të jetë e qëndrueshme çdo gjë mund të rivlerësohet. Masat ne nuk i kemi marrë kot.’- tha Rakacolli.

Në ditët e hapura të vaksinimit +18, Rakacolli tha se janë vaksinuar mbi 25 mijë qytetarë. Zv.ministrja tha se vihet re një rënie e gadishmërisë së qytetarëve për të kryer vaksinën dhe bëri thirrje që ato të vaksinohen pasi është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.

‘Gjatë këtyre dy ditëve patëm mbi 25 mijë veta 18+ që u vaksinuan. Është në varësi dhe të vaksinave që kemi në dispozicion të cilat vijojnë duke ardhur në sajë edhe të marrëveshjeve që kemi kryer. Jemi në gjendje të bëjmë deru në 20 mijë vaksinime në ditë. Stina e nxehtë nuk e favorizon shumë bërjen e vaksinës për disa mosha për shkak edhe të temperaturës. Mund të bjerë edhe për këtë arsye ritmi i vaksinimit, por njerëzit të mos frenohen dhe të mendojnë se sëmundja është zhdukur. Gadishmëria nga qytetarët për të bërë vaksinën ka rënë, por qytetarët duhet të interesohen që të bëjnë vaksinën pasi është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit.’- tha Rakacolli.