Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca u nderua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Gjirokastrës me “Çelësin e qytetit”. Aktivitetet e bashkisë së Gjirokastrës, në kuadër të 16-vjetorit të përfshirjes së qytetit të gurtë në UNESCO, kulmuan mbrëmjen e djeshme në kalanë e Argjirosë. Të pranishëm në aktivitet ishin Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përfaqësues të trupit diplomatik të disa vendeve të BE-së, drejtues të institucioneve publike, pushtetit vendor, specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, etj.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi i dorëzoi “Çelësin e qytetit”, ambasadorit të BE-së Soreca. “Më 15 korrik 2005 Gjirokastra bëri një kthesë të madhe për të hapur një faqe të re, në historinë e saj si një qytet, që prej asaj date e në vijim nuk i përket vetëm gjirokastritëve, por botës mbarë”, – tha Golemi.
Kryebashkiaku Golemi u shpreh se falë UNESCO-s Gjirokastra është një markë e rëndësishme ndërkombëtare e turizmit, ka kujdesin jo vetëm të gjirokastritëve, por mbarë botës”. “Për vendin e veçantë që ambasadori Soreca ka në qytetin tonë kemi zgjedhur këtë ditë, e cila mbart këtë simbol të fortë për të dhënë “Çelësin e qytetit”.
Ambasadori Soreca tha se “qyteti i Gjirokastrës përbën një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore botërore, ndërsa Shqipëria në tërësi spikat për monumentet e kulturës. Së shpejti do të nisim një projekt për ndërhyrjet restauruese në vlerat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe qyteti i parë në të cilin do të prezantohet është Gjirokastra”.
Ambasadori u shpreh se “kam ndaluar në Gjirokastër gjatë turit tonë nga veriu i Shqipërisë në jugun e saj. Jam shumë i lumtur të jem përsëri këtu në këtë ditë simbolike për të festuar 16-vjetorin e futjes së Gjirokastrës në UNESCO. UNESCO dhe trashëgimia botërore e saj është mjaft prestigjioze. Qytetarët e Gjirokastrës duhet të jenë tepër të nderuar për këtë. Në vitet e fundit është bërë mjaft punë për të nxjerrë në pah bukuritë e këtij qyteti”. Gjatë këtij aktiviteti iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” edhe përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli për punën dhe kontributin e dhënë për rijetëzimin dhe restaurimin e vlerave të Gjirokastrës.