SPAK caktoi sot masën “Arrest shtëpie” ndaj ish-zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda.

Ndaj Vodës, prokuroria ka ngritur akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, e kryer në bashkëpunim”.

“Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur provat konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, “përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë shtetasen Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”.

Gjithashtu, masën “Arrest shtëpie”, SPAK e ka caktuar edhe ndaj shtetaseve Florida Beu dhe Majlinda Hasani, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, e kryer në bashkëpunim”.