Sezoni turistik ka nisur, por aplikimet dhe kthimi përgjigjet për stacionet e plazhit ende nuk kanë përfunduar. Për këtë problematikë foli edhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi nga Kavaja, ku tha se vija e saj bregdetare ka më shumë aplikime për stacione plazhi se sa parcela. Klosi tha se në Kavajë janë 183 parcela të menaxhuara dhe për ato ka 198 aplikime, nga të cilat janë miratuar vetëm 46 të tilla, ndërsa janë refuzuar 51 dhe 15 janë kthyer pas për mungesë dokumentacioni. Pjesa tjetër tha Klosi janë ende në shqyrtim, ndërsa shtoi se kjo situatë mund të përmbyllet për 3-4 ditë.
“Në Kavajë kemi një situatë të menaxhuar, natyrisht me problematika të vogla, por në përgjithësi pozitive. Me agjencinë tonë të bregdetit do të ndjekim në vazhdimësi gjithë problematikat që kanë të bëjnë me sezonin e plazhit në bashkinë e Kavajës. Në territorin e bashkisë së Kavajës kemi 238 parcela, nga të cilat 183 janë parcela të menaxhuar dhe 55 janë publike. Nga këto parcela 183 të menaxhuara kemi 198 aplikime. Pra më tepër aplikime se parcela. Prej këtyre që janë kryer pagesat janë 76 parcela, të miratuar kemi 46 në shqyrtim nga për ‘beach bare’ kemi 9. Kemi aplikime me mungese të dokumentacionit 15, të refuzuara kemi 51 dhe të paaplikuara kemi 42 parcela. Do të kemi mundësinë që ne të qartësojmë shumë mirë situatën, të ndihmojmë të gjithë poseduesit e këtyre parcelave për të marrë përfundimin e dokumentacionit, të ndihmojmë bashkinë të zgjidhë problematikat me pagesën. Do të kemi një situatë të qetë në harkun kohor të 3, 4 ditëve. Ajo që është e rëndësishme është të theksoj se 42 parcelat që janë pa aplikime të nxiten qytetarët të aplikojnë. Besoj ditën e hënë do të përfitojnë nga rihapja për një kohë 5 ditore dhe për të plotësuar gjithë sipërfaqen e menaxhuar në Bashkinë e Kavajës”, tha Klosi.
Në takim me operatorët turistik në Kavajë ishte i pranishëm edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili kërkoi që në task-forcën që policia ka për monitorim e vijës bregdetare, duhet të jetë edhe një përfaqësues i Agjencisë së Bregdetit, pasi është personi i autorizuar për të sqaruar pretendimet e bizneseve.
“Prej 3 ditësh aksioni ynë është prezent në terren nga Velipoja në Ksamil, shërbimet e policisë së shteti janë prezent çdo ditë duke kontrolluar hapësirat nëse rezultojnë që janë pa leje ose ende nuk kanë marrë përgjigjen për aplikimin. Me Kavajën kemi një bashkëpunim shumë të mirë, por kjo nuk është në të gjitha zonat me pushtetin vendor. Në task-forcën grupe që kontrollojnë dokumentacionin e parcelave të plazhit nuk duhet të kemi vetëm prezencë të qeverisjes vendore dhe policisë por edhe përfaqësues të agjencisë kombëtare të bregdetit që të sqarojë dhe orientojë si personi i autorizuar që bën argumentin në lidhje me pretendimet e subjekteve”, tha Veliu.