Nga Elda Shabani

Glamur, elegancë, shkujdesje, butësi, një kult kushtuar diellit, motoja e stilit të pizhameve të plazhit në botën e modës.

Para përdorimit të bikinit, zonjat e modës veshën “pizhamet e plazhit” në qytetet elegante bregdetare të Perëndimit gjatë viteve ’20-të. Dhjetëvjeçari pas luftës së parë botërore, një dekadë ulëritëse, ishin plot optimizëm dhe aromë lirie e cila qëndronte si parashutë e hapur në horizont.

Arti dhe Moda më vete, është pjesë në këtë lëvizje, me bashkëpunëtor artist të talentuar të cilet përhapen dhe frymëzuan përmes revistave dhe albumeve fotografike, gratë me veshjet Pyjamas Beach, të dizejnuara nga stilistët kryesorë të epokës së artë siç ishin Lanvin, Patou, Schiaparelli, Poiret, Emilie Floge pa ia hequr meritën stilistes rebele Coco Chanel, e cila ndër të tjera, e zhvilloi më tej këtë stil, duke e kthyer në faqen e parë të kopertinave të revistës më të madhe “Vogue”.

Ndërsa Pantallonat dhe stilet jumpsuit tronditën publikun, sot ato janë frymëzim për shumë stilist të kohës moderne. Por çfarë e bëri kaq shumë të bujshme dhe në të njëjten kohë shokuese stilin “pizhamet e plazhit”? Sikurse e përmendëm pak më lart, vitet ‘20 të shek të ri përkonin me një përmbysje të madhe shoqërore jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë kulturor. E për rrjedhojë kemi një levizje të madhe emancipimi të figurës së gruas. Sigurisht kjo do të reflektonte edhe në jetën e përditshme si dhe në veshje e modë. Në shumicën e veshjeve të grave, moda i kaloi kufijt gjinor.

Deri në vitet e fundit të shek.19-të pantallonat apo pizhamet ishin një veshje vetëm për meshkuj – një stil i lirshëm me origjinë nga India dhe e adaptuar nga kolonizatoret britanike gjatë viteve 1800. Vetë fjala, pāy-jāma rrjedh nga persishtja pāy-jāmeh, që do të thotë veshje e poshtme e trupit, pantallona të gjera. Pizhamet një veshje e përbërë nga dy pjesë; xhaketë apo bolero si dhe pantallona të gjera, u kthyen menjëherë një veshje femërore në plazh, kur ato u veshen nga Coco Chanel gjatë vizitave të saj në qytetin e famshëm bregdetare të Juan-les-Pins menjëherë pas Luftës së Madhe. Sidoqoftë, me pizhamën e plazhit zonjat apo vajzat moderne mund të shëtisnin lirshëm buzë detit mbi rërë dhe nën rrezet e nxhehta të diellit ose gjatë mbrëmjeve relaksuese nën shoqërinë e gotës së shampanjës rreth një pishine apo dhe në aktivitetet e tjera artistike.

Shumë artist të mëdhenj të kohës të cilët kishin ndikuar dhe ishin kthyer pioner të lëvizjes të artit dhe kulturës në evropën avangarde të fillim shek. 20-të si Fauvizmi, Dadaizmi, kanë pasqyruar stilin androgjen me ndikim oriental; Matisse, Roubtzoff, Van Dongen dhe Picasso apo personazhet e Fitzgerald të cilët nën ndikimin e stilit flapper nuk do të mund të dukeshin aq artistikisht frymëzues në mendjen e lexuesit. Pyjamas Beach do të “përhapej ” në të gjitha plazhet kryesore të Francës, Belgjikës, Anglisë dhe për t’iu përkushtuar Hollywood-it, divave te saj !

Van Dongen

Roubtzoff

Matisse

Moda, gjithmonë një hap me kohën është në ndryshim. Me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë liri, do të nënkuptonte më shumë zhveshje dhe më pak rroba në trup. Kjo do të zhdukte për një fare kohe pizhamet e plazhit, të cilat u zëvendësuan së shpejti nga rrobat e banjës që do të zvogëloheshin dukshëm dhe do t’i linin hapësirë, bikinit dhe më pas monokinit. Por nga vitet 1930 deri në vitet 1970 ato ishin subjekt i tendencave të modës. Ky stil ndikoi në stilet e pantallonave të gjera për dekadat e ardhshme, përfshirë pantallonat “culottes” ose fundpantalonat të viteve ’60 dhe në stilin ekstravagant e rebel, androgjen. Veshja me pizhame ka përjetuar sot një ringjallje në botën e modës perfshirë dhe në këtë periudhë postpandemie. E pëlqejmë këtë stil apo jo, moda e “pyjamas beach” ka të ngjarë të jetë kapsula për Summer 2021, një lajm i mirë për pushueset të cilat adhurojnë apo janë maniake të modës avant-garde.