Për herë të parë në histori Egnatia do të jetë pjesë e fazës së ligës së Conference League. Rivalët e kampionëve në fuqi të Shqipërisë do të jenë emra si Midtjylland, Braga, Lincoln Red Imps, Universitatea Craiova, Kauno Zalgiris dhe Aarhus.

Shortin e komentoi edhe trajneri i rrogozhinasve, Nevil Dede. Ai tha se kundërshtarët janë të pranueshëm, duke treguar edhe pengun e kualifikueseve evropiane.

“Është e rëndësishme që do të përfaqësojmë Shqipërinë në futbollin evropian. Mendoj se shorti është i pranueshëm. Ka më mirë, por ka edhe më keq, kështu që them se është një short i pranueshëm për ne. Qëllimi ynë është që të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe të argëtojmë me futbollin që luajmë, siç kemi bërë deri tani. Nuk është se kisha preferenca për shortin.

Pengu im në rrugëtimin evropian është humbja me penallti në Champions League. Por edhe dje ndaj Lillestrom nuk u treguam pragmatistë për ta mbyllur ndeshjen me golin e dytë, sepse krijuam shumë raste.

Përforcime? Patjetër që kur bëhet fjalë për të fuqizuar skuadrën është mirë, por mendoj se deri tani e kemi përballuar mirë me kontigjentin që kemi. Të mos harrojmë se kemi pasur edhe dy mungesa, ku Bakayoko për mënyrën si luajmë, është shumë i rëndësishëm për ne”, tha mes të tjerash për RTSH Nevil Dede.

Në shtëpi Egnatia do të luajë kundër danezëve të Midtjylland, ekipit nga Gjibraltari të Lincoln Red Imps dhe lituanezëve të Kauno Zalgiris. Në udhëtim Egnatia do të përballet me portugezët e Bragës, rumunët e Universitatea Craiova dhe danezët e Aarhus.