Nëse Shqipëria është një nga dy vendet që kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, akuzon për veprimtari të koordinuara hibride me synim destabilizimin e vendit, atëherë Podgorica duhet të japë menjëherë shpjegime dhe të paraqesë provat. Ky është qëndrimi i ish-kryeministrit Pandeli Majko pas raportimit të medias malazeze “Vijesti” për përfshirjen e dyshuar të Serbisë dhe Shqipërisë në këto veprimtari.
Majko e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që një vend anëtar i NATO-s mund të akuzojë një tjetër vend anëtar të kësaj aleance për përfshirje në veprimtari destabilizuese. Sipas tij, nëse pretendimet janë konkrete, ato nuk mund të mbeten në nivel deklaratash në rrjetet sociale, por duhet të shoqërohen me nota diplomatike dhe, nëse është e nevojshme, të çohen në strukturat e NATO-s.
“Politika e Malit të Zi ka një trashëgimni të qëndrimeve të sofistikuara! Ky sofistikim i dedikohet edhe një jete të “dyfishtë” në bashkëjetesën me fqinjë, të cilët janë me status jo miqësor me njëri tjetrin! Kryeministri i Mali të Zi Milojko Spajiç ka dalë përtej qëndrimeve historike të shtetit të tij, duke e vendosur atë në udhëkryq! Mali i Zi duhet të japë shpejgime nëse jemi përballë një skandali rajonal, ku një vend i NATO-s po “sulmon” një anëtar tjetër të kësaj aleance! Në të kundërtën, duhet të pranojë se janë komente emocionale, të paprovuara në rrjetet sociale! Zgjedhja i takon të bëhet nga strukturat shtetërore të Malit të Zi ku Milojko Spajiç është kryeministër” shkroi Majko.










