Zv/kryeministri Erion Braçe apeloi sot pas temperaturave të larta të ditëve të fundit në vendin tonë. Ai theksoi se, duhet t’i kthejmë natyrës gjithçka që i kemi marrë. “E sata ditë është sot me temperaturë 40 gradë? Kur ka qenë kaq shumë më parë? Ky është ndryshimi! Duhet t’i kthejmë natyrës gjithçka që i kemi marrë!”, tha Braçe.

Ndryshe, shtoi ai, “impakti do të jetë shumë i madh, shëndetësor, social, ekonomik, për çdo familje, por edhe për shoqërinë!” “Duhet t’i kthejmë natyrës tokën ose të paktën mos i marrim me, duhet t’i kthejmë natyrës pemët, parqet, pyjet masive, duhet t’i kthejmë natyrës ujin, përrenjtë, lumenjtë që i kemi futur në mbi 500 vrima, tuba, kanale për të fituar e bërë pasuri shumë shumë pak njerëz!”, u shpreh Braçe.

“Nëse nuk ndryshojmë tani për të bërë këtë, vuajtja do të kthehet në shpenzime marramendëse, mungesat-përfshirë ushqimin dhe ujin, do kthehen në lufte dhe, për shkak të tyre në pabarazi edhe më të madhe”, nënvizoi Braçe.

E di, shtoi zv/kryeministri, “duket e largët tani dhe prodhon moskokëçarje, e shtyjnë në fund si problem. Por, kështu nis dhe po vjen shumë më shpejt se sa e mendojnë, mendojmë!”. “Po bëjmë shumë mirë me energjinë e gjelbër prej diellit, po bëjmë shumë mirë me autobusët dhe makinat elektrike. Ato adresojnë problemin e ndotjes në ajër dhe efektet e saj mbi temperaturat, shëndetin po ashtu. Por natyra do elementët e saj”, tha Braçe. “Edhe ndërtimet “pyje vertikale” nuk janë pemë, edhe makinat elektrike nuk janë pyje! Të bëjmë gjëra më të thjeshta e më pak të kushtueshme: Të rikthehemi fort tek pyllëzimi! Tirana ka sot gjelbërim falë kësaj!”, tha Braçe.