Teksa duart tashmë të rrudhosura të Andre Brugiroux tregojnë hartën e botës në tavolinën e kopshtit të tij, francezi 83-vjeçar tregon historitë e shumta të udhëtimeve dhe aventurave ku ka qenë protagonist. Përgjatë gjithë jetës së tij, tashmë udhëtari i dalë në pension pohon se ka arritur të vizitojë të gjitha shtetet dhe territoret ekzistuese në mbarë globin. Janë gjithsej 251, sipas përllogaritjeve të tij, përfshi shtetet që nuk njihen ndërkombëtarisht si Somaliland apo Ishulli i Tristan Da Kunja, arkipelagu më i izoluar në botë.

“Unë mund t’i bëj njerëzit të buzëqeshin, por unë mendoj se të arrish të jesh një udhëtar dhe aventurier i suksesshëm ka vetëm një formulë, dhe ajo nuk gjendet në guidat turistike. Duhet të duash njerëzit dhe ata do të vijnë tek ty”, thotë 83-vjeçari.

Aventurieri u largua nga Franca për herë të parë në moshën 17-vjeçare, pasi përfundoi studimet për hoteleri, dhe duke nisur punë si kamarier në Skoci. Udhëtimet Brugiroux e çuan atë në shumë vende të Europës, në Kanada dhe nga aty në shumë vende të tjerë të tjera të botës. Nga viti 1967 deri në 1973, ai udhëtoi për 400 mijë kilometra duke bërë autostop dhe duke shpenzuar jo më shumë se 1 dollar në ditë.

“Kuptova që nëse arrija të udhëtoja gratis pa shkuar në hotele, unë do të mund të shihja të gjithë botën. Nuk e dija që do të arrija të përshkoja 400 mijë kilometra duke bërë autostop, por ishte pikërisht ajo që ndodhi, fatmirësisht për mua”, rrëfen Brugiroux.

Udhëtimi i tij u ndal përkohësisht për shkak të dizenterisë, çka e detyroi të kthehej në Francë për t’u trajtuar. Pas kësaj Brugiroux vazhdoi të udhëtonte çdo vit deri në 2019-n, ku më në fund ai vendosi të ndalej për shkak se mosha nuk e lejonte të bënte jetën e aventurierit. Ai ka shkruar disa libra, një dokumentar me të gjitha videot që kishte regjistruar gjatë udhëtimeve dhe ka dhënë dhjetëra leksione për të ndarë eksperiencat dhe aventurat e tij.

“Njeriu kudo në botë ka një zemër dhe ndjenja. Të gjithë përjetojmë gëzimin dhe hidhërimin. Fati im me udhëtimet ka qenë fakti që unë kam pasur mundësinë t’i përjetoj. Prandaj kam dalë në përfundimin që bota është një shtet i vetëm, dhe ne jemi të gjithë qytetarë të këtij vendi unik”, thotë ish-aventurieri.

Një ndikim në botëkuptimin e tij ka pasur edhe besimi “BAHAÍ”, me origjinë nga Irani i sotëm, një vend që 83-vjeçari e vizitoi në vitin 1970. Një prej karakteristikave të këtij besimi është uniteti i njerëzimit.