Drejtues të agjencive të lajmeve të Kroacisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Bosnje-Hercegovinës kanë përshëndetur Drejtoreshën e Përgjithshme të ATSH-së, Armela Krasniqi për zgjedhjen si kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Në mesazhet e urimit drejtuar Agjencisë Telegrafike Shqiptare, drejtoresha e Përgjithshme e agjencisë kroate të lajmeve, HINA, Branka-Gabriela Vojvodiç, drejtori i Përgjithshëm i agjencisë bullgare të lajmeve, BTA, Kiril Valçev, drejtori i përgjithshëm i agjencisë së lajmeve të Bosnje-Hercegovinës, FENA, Elmir Huremoviç dhe drejtoresha e Përgjithshme e agjencisë rumune të lajmeve AGERPRES, Klaudia Nicolae, kanë vlerësuar si të jashtëzakonshëm dhe të suksesshëm bashkëpunimin me Krasniqin.

“Bashkëpunimi me zonjën Krasniqi ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe, gjatë mandatit të saj, rëndësia dhe ndikimi i ATSH-së e pozicionuan atë në një vend të rëndësishëm brenda familjes së agjencive europiane të lajmeve”, thekson drejtore e HINA-s, Branka-Gabriela Vojvodiç. Ajo shprehet se “me profesionalizmin, përkushtimin dhe gjallërinë e saj, Armela Krasniqi e ka bërë ATSH-në të njohur, ka arritur një nivel jashtëzakonisht të lartë të shikueshmërisë së agjencisë dhe ka lënë gjurmë të forta si në ATSH ashtu edhe në mjedisin mediatik ndërkombëtar”. Drejtoresha e AGERPRES, Nicolae nënvizon se “të shohësh një grua që zgjidhet në një pozitë të një rëndësie të tillë i bën të dukshme vlerat proevropiane që qëndrojnë në bazë të vendimit dhe unë e di me siguri se profesionalizmi dhe busulla juaj morale do të vazhdojë t’ju udhëheqë gjatë gjithë karrierës suaj”.

“Është kënaqësi e madhe lajmi për emërimin tuaj në postin prestigjioz të Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive nga Parlamenti shqiptar”, nënvizon Kiril Valçev, drejtori i Përgjithshëm i BTA-së. Në mesazhin e urimit, drejtori i FENA-s, Huremoviç shprehet se Krasniqi në krye të AMA-s do të jetë po aq e suksesshme sa ka qenë si drejtuese e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. “Nën udhëheqjen tuaj gjatë katër viteve të fundit ATSH ka forcuar pozicionin e saj udhëheqës në hapësirën mediatike shqiptare, por gjithashtu e ka imponuar veten si një burim i respektuar i përmbajtjes mediatike në rajon dhe më gjerë”, shprehet ai.

Huremoviç shprehet krenar për bashkëpunimin me Krasniqin dhe forcimin e marrëdhënieve profesionale mes FENA dhe ATSH. Duke përmendur rolin e Krasniqit në EANA, AMAN dhe ABNA, Huremoviç shprehet se “ju kontribuat në mënyrë të konsiderueshme në forcimin e këtyre organizatave dhe në këtë mënyrë forcimin e pozitës së agjencive të lajmeve dhe rolin e tyre në Europën demokratike”. “Bashkëpunimi ynë gjithashtu rezultoi në promovimin e potencialit turistik të të dy vendeve dhe marrëdhëniet miqësore midis Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë”, thekson në mesazhin e urimit, drejtori i FENA-s.

https://www.fena.ba/article/1219420/albanian-parliament-elects-armela-krasniqi-as-president-of-audiovisual-media-authority