Ministria e Mbrojtjes deklaroi sot se “163 vatra zjarri janë shuar në të gjithë territorin e vendit, në një periudhë 11-ditore”. Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë një bilanc të punës së kryer nga efektivët e Forcave të Armatosura, të cilët kanë shkuar në ndihmë të autoriteteve të pushtetit vendor, kur është kërkuar ndërhyrja e tyre. Zjarret e rëna në bashkinë Fier më datë 28 korrik, dhe që prekën fshatin Kreshpan, në Cakran dhe vatra në vendgrumbullimin e mbeturinave në Fier, janë shuar 3 ditë pas operacioneve, pa pasur dëme në njerëz dhe banesa. Po ashtu, për 11 ditë është punuar nga toka dhe nga ajri në vatrën e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Kjo vatër është e izoluar në pjesën më të madhe të saj.

Në kohë rekord u shua edhe zjarri i rënë më datë 30 korrik, në vendin e quajtur “Qafa e Hartës” në Ksamil, bashkia Sarandë, duke shmangur me sukses rrezikun që paraqitej për banesat aty pranë. Zjarri i rënë në Himarë, Livadh, u shua në kohë të shpejtë, duke mos i lënë flakët të kalojnë në zonën ku pushonin turistët. Gjithashtu, u realizua me sukses mbajtja jashtë rrez ikut e banesave dhe e banorëve nga zjarri që ra në fshatin Kutal, bashkia Përmet. Zjarret e rëna në fshatrat: Qestorat, Dhoksat, A.Lengo, A.Zeneli, Krinë, Tranoshisht, Saraqinisht, në bashkinë Gjirokastër u shuan përfundimisht, duke shpëtuar në kohë banorët dhe banesat, por fatkeqësisht vetëm me një humbje jete dhe një të lënduar.

Ministria e Mbrojtjes informon se “janë shuar totalisht edhe zjarret ne fshatrat Gjorm dhe Gumenicë, në Qarkun Gjirokastër”. Këto vatra u shfaqën në mënyrë të menjëhershme dhe me drejtim të pakontrolluar si pasojë e erërave të forta, por u arrit të mbrohej jeta e banorëve që ishin të rrethuar nga flakët. Zjarri i rënë në bashkinë Kurbin me datë 1 gusht, në njësinë administrative Mamurras, në një sipërfaqe me pyll pishe dhe lis, u shua në kohë duke shmangur rrezikun e banesave aty pranë.

Zjarri i rënë në bashkinë Vorë, zona e Gërdecit, u menaxhua në kohë duke shmangur rre zikun e banesave që ishin shume pranë vatrave. Edhe flakët në qytetin Fushë-Arrëz, u menaxhuan pa kaluar tek banesat aty pranë. Po ashtu është shuar tërësisht edhe vatra e zjarrit në Kalis të Kukësit, i cili rre zikoi edhe banesat e zonës.