Në orët e para të mëngjesit mbërritën dy avionë të tjerë me 182 afganë në vendin tonë mes të cilëve edhe fëmijë. Në orën 3.50 mbërriti në aeroportin e Rinasit avioni me 154 pasagjerë, 108 prej të cilëve u vendosën në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.
Ata u pritën nga zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino. Ndërsa pak më parë mbërriti avioni i pestë nga Afganistani brenda 72 orëve me 28 persona në bord, të cilët u vendosën në Tiranë. Lajmin e bën me dije ministria e Jashtme. 182 personat e mbërritur sot çojnë në 417 numrin e qytetarëve afganë të ardhur në vendin tonë deri tani.
Avioni i parë nga Kabulli solli 121 afganë në Shqipëri më 26 gusht, ndërsa gjatë 2 fluturimeve të tjera një ditë më pas erdhën 154 persona të ndarë në 2 grupe. Avioni i parë që mbërriti në orën 22:45 me 95 afganë në bord nga Kabuli, ndërsa në fluturimin e dytë që mbërri në Rinas në orë 01:00 pas mesnate që ishte tranzit në Doha erdhën 59 afganë.
Të gjithë afganët që kanë mbërritur fillimisht janë regjistruar në çadrat e ngritura në Rinas dhe më pas janë shoqëruar për t’u akomoduar një pjesë në konviktet e Qytet Studentit, ndërsa pjesa tjetër në hotele në Durrës.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohet jeta nga talebanët. Pritet që në Shqipëri të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.