Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 6,7 milionë lekë për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkues. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për miratimin e rishpërndarjes së fondeve brenda programeve buxhetore të Ministrisë së Brendshme. “Qeveria vendosi që në buxhetin e vitit 2021 të bëhet rishpërndarja e fondeve brenda programeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Brendshme, për programin “Planifikim menaxhimi”, shtohet fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh. Për programin “Policia e Shtetit”, të pakësohet fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh”, theksohet në vendimin e botuar sot në Fletoren Zyrtare.

Në vendim theksohet se, “fondi prej 6 700 000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekësh të përdoret nga Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues, për kryerjen e procedurës së prokurimit me objekt:“Rikonstruksion i godinës së QKPA-së”, me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë”. “Ngarkohet Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkues që, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës në përputhje me legjislacionin në fuqi”, theksohet në vendim.