Mero Baze/ Jo çdo e keqe vjen për keq. Kjo fatkeqësia e afganëve që po detyrohen të shpërndahen shtet më shtet edhe pse vet nuk mbërrijnë dot deri në aeroport, i ka dhënë një ndihmë opozitarëve në Shqipëri. Shumë nga ata që ende nuk e pranojnë se kanë humbur as më 2017 as më 2019 as më 2021, tani kanë gjetur një shpjegim për humbjen e tyre duke e lidhur me afganët.
Nëse lexoni komentet e politikanëve “ideolog” të opozitës apo blogjet e tyre do të kuptoni se “afganët”po përdoren për të shpjeguar gjithë fatkeqësitë e tyre. Dhe mbi të gjitha fatkeqësinë e fundit, atë të futjes së familjes Berisha në Listën e Zezë të SHBA.
I gjithë konspiracioni i ri i ndërtuar nga opozita lidhet me këtë lëvizje. Mungesa e mbështetjes amerikane për bojkotin e parlamentit dhe bojkotin e zgjedhjeve lidhet me afganët që erdhën. Dmth sipas tyre, “amerikanët e kanë ditur që do të tërhiqen më 2021 dhe paskan bërë plan që të mbështesin Ramën që t’u pranoj afganët. Po kështu dhe më 2021.
Por më e besueshme për autorët konspiracionist të opozitës, është fakti që Rama ka negociuar marrjen e afganëve me futjen e berishëve në Listën e Zezë. Tani dhe vonesa e ardhjes së afganëve po lidhet me “negocimin” që të futet dhe Meta në këtë listë.”
E di që është shumë joserioze ta marrësh seriozisht gjithë këtë dhe aq më shumë të shkruash për këtë, por e vërteta është se opozita është bërë aq joserioze, sa nëse shkruan për të je i detyruar të përshkruash se çfarë mendon ajo.
Ajo sot e gjithë ditën mendon pikërisht këtë. Ajo ende nuk ka një qëndrim vetëkritik për veten, ende nuk e kupton se SHBA nuk është një mbështetëse e Shqipërisë, që blihet me afgan dhe aq më tepër që nuk e kuptojnë se shpikja e armiqve të jashtëm për humbjet e tyre do t’i lërë gjithë jetën në opozitë, pasi nuk vlerësojnë realisht “armikun” e brendshëm.
Po të ishte kaq e thjeshtë Berisha që pranoi iranianët më 2012, do të të të ta kishte të sigurt mandatin më 2013 dhe Rama nuk do të vinte kurrë në pushtet. Por kur shikoj se dhe media e të birit të tij është e mbushur me këto komente, më shkon mendja që dhe ai mund ta ketë besuar vërtet këtë përrallë më 2012, ndaj dhe humbi me 1 milion vota.