Nga Ilir Yzeiri/ Nëse do të dëgjosh se çfarë flitet e nëse do të shohësh se çfarë varet nëpër afishet e njoftimeve publike të pazarit mediatik shqiptar, jo vetëm që nuk kupton asgjë, por zbulon gjithnjë e më shumë se, për fat të keq, në një pjesë të madhe, ata që marrin fjalën në publik rrahin t’i tregojnë vendin jo vetëm Amerikës, por edhe botës mbarë. Ky grup që kolegu Mero Baze e quan grupi i“Salibanëve” i transferon emocionet dhe perceptimet lokale edhe në sferën jashtë nesh dhe, gjithnjë e më shumë, identifikohet me atë grup që tragjedinë politike të Berishës e projekton si një betejë që iu bë nga një perandori e cila tani, sipas tyre, dështoi.
E mira do të ishte që debatin për atë që ndodhi në Afganistan ta merrnin e drejtonin specialistë të gjeopolitikës, ata që ndjekin zhvillimet ndërkombëtare dhe institucionet që njohin mirë sigurinë kombëtare, por, të tillë, edhe nëse kemi, është vështirë t’i shohësh të shfaqen në publik. Ndaj, në pazarin mediatik shqiptar, për çdo ngjarje a mall që vjen aty janë të njëjtët tregtarë që e paketojnë dhe e shesin, janë të njëjtët tellallë që e reklamojnë dhe të njëjtët sharlatanë që e shpërndjanë.
Ashtu si para viteve ’90, apo ashtu si në ngjarje të tjera të mëdha që trondisin vëmendjen e botës, edhe këtë herë, për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh në Afganistan, personalisht, por si unë edhe shumë të tjerë, ndoqën në fillim kanalet e RAI-t, pastaj edhe ato amerikane apo angleze dhe prej tyre mund të mësoje apo mund të kuptoje narrativën që lindi më këtë rast. E para gjë që mora vesh ishte se gjithë ato shpenzime që SHBA ka bërë në Afganistan e në Irak, rreth 2 trilionë dollarë, në fakt, i ka financuar Kina. Në ç’formë ?? U mbetet ekspertëve të ekonomisë ta sqarojnë, por me një lexim të shpejtë mëson se Kina është blerësja më e madhe e bondeve amerikane.
E dyta, amerikanët dhe aletatët arritën të shkatërrojnë Al – Kaedën, dhe e pastruan vendin nga terroristët dhe talebanët. Pas kësaj, ata nxitën zhvillimin e shoqërisë afgane sipas modelit perëndimor ose sipas modelit njerëzor. Gjëja më e rëndësishme që ata bënë ishte liria që u dhanë grave dhe vajzave. Sot sipas statistikave 37% e vajzave afgane dinë të lexojnë dhe vdekshmëria foshnjore ka rënë me 50%.
Është e vërtetë se SHBA-të u tërhoqën dhe qëllimi i tyre për të ndërtuar një shoqëri afgane të lirë, ku gratë dhe vajzat të gëzojnë po ato të drejta e liri që kanë edhe vende të tjera si Egjipti, fjala vjen, nuk u realizua, se talebanët kundërshtarët kryesorë të forcave aleate e rimorën përsëri pushtetin, por, po aq e vërtetëështë edhe një gjë tjetër. Prej disa vitesh SHBA-të kanë hyrë në bisedime me ta dhe kanë krijuar në Doha një qendër komunikimi të përhershëm. Kjo është shenja që tregon se SHBA-të dhe aleatët perëndimorë, nuk ia besojnë armëve zgjidhjen e konflikteve. Arma më e efektshme e SHBA-ve dhe Perëndimit është dialogu, të cilin janë gati ta ndërtojnë më cilindo që kanë përballë. Kjo ka sjellë një perceptim tjetër për talebanët, të cilët, edhe pse janë mjeshtra në mashtrim, tani e dinë se nuk mund të sillen siç silleshin më parë.
Pikërisht për këtë argument mësova se edhe në Irak, kur SHBA-të dhe aleatët nisën sulmin për ta pastruar vendin nga terroristët e ISIS-it, një rol vendimtar patën forcat ushtarake shiite të Iranit që njihen si luftëtarë të guximshëm dhe ato kurde po ashtu. Pa ndihmesën e tyre edhe Iraku mund të kishte rënë në duart e ISISI-it. Po çfarë tregon kjo ? Sipas analistëve perëndimorë kjo tregon se SHBA-të dhe aletatët nuk kishin si qëllim luftën me çdo kusht e me çdo çmim kundër një armiku që kërcënonte fillimisht vendin ku ndodhte konflikti.
Analistët perëndimorë përmendnin edhe një teori tjetër atë të hedhur nga zonja Hilari Klinton dhe që njihet me termin « patatja e nxehtë » ose strategjia e kaosit. Nëse vjen një çast dhe kjo « patate e nxehtë » të përvëlon dorën ti duhet ta hedhësh dhe atë mund ta marrin të tjerë që mund të dinë ta ftohin më mirë. Në këtë rast, thonë këta komentatorë, Bashkimi Sovjetik, Kina, Pakistani apo India, po sidomos Kina mund të kenë interesa më të mëdha në këtë vend dhe tani ata mund të investohen më shumë.
Qoftë me luftën në Irak, qoftë me ndërhyrjen në Afganistan SHBA-të treguan se janë vendi më i fuqishëm në botë të cilët kanë shpenzuar më shumë se asnjë tjetër në konfliktet jashtë vendit të tyre. Amerikanët nuk u përfshinë në Luftën e Parë Botërore dhe katastrofa e asaj tragjedie në Europë ishte nga më të mëdhatë. Amerikanët ishin vendimtarë në Luftën e Dytë Botërore dhe me ndërhyrjen e tyre ata përshpejtuan rënien e nazi-fashizmit në Europë dhe pas saj ndihmuan Perëndimin që të rindërtohej.
Ne, shqiptarët, nuk e kemi luksin të gjykojmë me cinizëm marksist politikat amerikane sepse për ne ata kanë qenë dhe vijojnë të jenë aleatët me të mëdhenj dhe më të besueshëm. Fjala vjen dikush mund të thotë se përse në Arabinë Saudite liria e femrave është e kufizuar deri në kestrem e megjithatë SHBA-të e kanë aleatin më të madh. Përtej kësaj, në të gjitha konfliktet që krijohen në botë, të gjithë thonë po Amerika pse nuk ndërhyn. Kur ajo ndërhyn,menjëherë krijohen teoritë konspiracioniste marksiste se përse ndërhyn Amerika. Ndërkaq, SHBA-të janë përpjekur të importojnë mënyrën perëndomore të jetës me institucione demokratike. Sot Iraku dhe Afganistani janë ndryshe. Ndërsa Siria, atje ku amerikanët nuk ndërhynë, apo Libia janë në kaos e në luftë. Pyetja që shtrohet është kjo : po këto vende ku Amerika ndërhyn a janë në gjendje të sakrifikojnë për lirinëdhe për të drejtat e motrave të tyre ? Pikërisht këtë vullnet dhe guximin për të ndërtuar shtetin e tyre të drejtë, Amerika nuk ua jep dot. Nëse sot ushtria amerikane dhe ajo e aleatëve u tërhoq nga Afgansitani, atje mbeti modeli i jetës ndryshe, modeli i jetës që respekton njeriun pavarësisht nga gjina apo seksi, modeli i jetës që respekton ndeshjen e ideve dhe pluralizmin politik. A do të jenë në gjendje afganët që ta ruajnë këtë model ? Të shohim. Por tani ata nuk janë vendi i harruar si dikur, tek ata tani janë përqëndruar gjithë sytë e botës dhe kjo nuk është pak.
Dhe e fundit kryeministri Edi Rama bëri një gjest dinjitoz duke shpallur se vendi ynë është në krah të atyre njerëzve që vuajnë dhe në krah të aleatit tonë më të madh SHBA-ve. Afganët që do të vijnë në Shqipëri janë imazhi më i bukur që Shqipëria dhe shqiptarët shfaqin sot në botë. Dikush nga senatorët amerikanë iu referua « BESËS » së famshme shqiptare, një tjetër rikujtoi me këtë rast edhe ndihmën që u kanë dhënë shqiptarët hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të mbytyr në llumin e percepetimit negativ që, për fat të keq, ne, shqiptarët, hedhim mbi veten tonë duke u projektuar si e keqja e njerëzimit nga gjuha e « salibanëve » shqiptarë, ky veprim i Edi Ramës, ashtu si ai tjetri në kohën e pandemisë për të dërguar infermierë dhe mjekë në Italinë e gjunjëzuar nga Covid-19, tregojnë se, ne, shqiptarët, për inat të shqiptarëve « salibanë » këtu e në Kosovën e Albinit, jemi një komb dinjitoz.