Besimtarë bektashinj kanë festuar Ditën e Ashures sot, e cila konsiderohet si dita më e rëndësishme për ta. Dita e Ashures cilësohet si dita e martirizimit të Imam Husejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamit. Në kuadër të kësaj dite Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi bëri thirrje për më shumë mirësi, paqe dhe dashuri mes njerëzve.

“Apeli jonë mbetet më shumë: mirësi, paqe, dashuri mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje. Në këto kohë të vështira, duhet të hapim zemrat tona e të jetojmë në paqe e në vëllazëri me njëri-tjetrin e me Zotin. Të duam e të respektojmë njëri-tjetrin në vendin ku jetojmë. Dëshmorët e Cerbelasë na qofshin në ndihmë të gjithëve e Zoti Lart na bekoftë”, tha Baba Mondi

“Dita e Ashures” përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit dhe e cila sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

Dita e Ashures, e cila rrjedh nga fjala “ashr”, që do të thotë dhjetë në arabisht, është një ditë e rëndësishme për sa i përket historisë së profetëve. Ajo përkon me ditën e dhjetë të muajit të parë Muharrem të vitit hixhri.

Sipas burimeve të hadithit, në këtë ditë ka shpëtuar nga përmbytja anija e Hazreti Nuhut dhe ngjarja kur profeti Musa kalonte nëpër Detin e Kuq dhe shpëtoi popullin e tij nga Faraoni.