Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovë që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik. “Në fund të fundit, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Megjithatë, ne inkurajojmë qeverinë që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me refuzimin e Qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur” (Open Balkan).
Në iniciativën “Ballkani i Hapur”, që më herët njihej me termin “mini-Shengeni”, marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kryeministrin i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohej në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.
Me 29 korrik 2021, kur “mini-Shengeni” e ndryshoi emrin gjatë një forumi ekonomik në Shkup, Rama, Vuçiç dhe Zaev edhe njëherë i ftuan vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës.Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, e ka cilësuar këtë iniciativë si “ide të rrezikshme”, sepse sipas saj, krijohet përshtypja se ekziston alternativë për integrimin në BE.
Por, Ambasada amerikane në Prishtinë tha se integrimi më i fortë ekonomik dhe politik “është thelbësor për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet, dhe po ashtu do të forcojë përpjekjet ekzistuese të Kosovës për të përmbushur reformat e kërkuara për pranimin në BE në të ardhmen”.“Ne inkurajojmë Kosovën që të kërkojë mundësi për të zvogëluar barrierat tregtare, për të rritur konkurrencën e saj ekonomike dhe për të ndërtuar një rajon të integruar dhe ekonomi të qëndrueshme që do të jetë në të mirë të të gjithë kosovarëve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.Kosova është zotuar që do t’i bashkohet iniciativës së “mini-Shengenit” përmes Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë.Por, kjo iniciativë në Prishtinë, përveç partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, nuk përkrahet as nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /REL