Nga Adriatik Doci/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijon të demostrojë pafuqinë e tij për t’u ndarë nga Sali Berisha dhe trashëgimia e tij edhe pas tetë viteve në krye të opozitës, kohë gjatë të cilës shënuar 7 humbje radhazi, duke e shtyrë partinë nga disfata në disfatë. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan në mënyrë ultimative përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, duke i lënë afat deri në shtator, Lulzim Basha ka vendosur të njësohet më tej Berishën gjatë kësaj vjeshte, duke kaluar lidershipin e opozitës në duart e njerëzve të tij të besuar.
Pasi u besoi drejtimin e fushatës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, zgjedhje në të cilat PD-ja shënoi disfatën e radhës dhe qëndrimin në opozitë të paktën deri në 2025, Basha ka përfshirë në ekipin e tij, që do të votohet sot, njerëzit simbol të pushtetit të Berishës, rrjedhimisht të besuarit e tij.
Drejtimin e Këshillit Kombëtar, forumit më të rëndësishëm vendimmarrës të PD-së, Basha i ka besuar Edi Palokës, i cili do të zëvendësojë Bujar Nishanin. Ky i fundit po ndëshkohet pas kritikave në adresë të Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të fundit. Edi Paloka është produkt dhe krahu radikal i Sali Berishës. Fytyra e tij ka rreth 30 vite që shfaqet në oborrin e PD-së. Paloka ishte drejtues i fushatës së PD në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Durrës. PD-ja pretendonte se do të merrte 8 mandate në këtë qark, por mori vetëm 6 mandate, duke kontribuar në humbjen e përgjithshme.
Riciklimi i Palokës në ‘ekipin e ri’ opozitar është një mesazh i qartë se, Lulzim Basha, jo vetëm nuk e ka lexuar humbjen e në zgjedhjet e 25 prillit, por do të shkojë drejt zgjedhjeve të 2025 me të njëjtat figura të refuzuara që pas vitit 2013.
Grupi parlamentar i PD-së do të drejtohet nga Alfred Rushaj, pjesë e rëndësishme e pushtetit të Sali Berisha 2005-2013. Alfred Rushaj, i cili do të udhëheqë betejën opozitare në Kuvend, ka qenë këshilltar i Genc Rulit në Ministrinë e Energjetikës gjatë periudhës 2005-2009. Nga viti 2009 deri në vitin 2013, Alfred Rushaj ka qenë pjesë e qeverisë së Berishës si zëvendësministër i Financave. Basha i besoi Rrushajt drejtimin e fushatës në Tiranë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku PD pretendonte se do të marrte 20 mandate, por arriti të merrte vetëm 15, pra 5 mandate më pak se sa objekti i shpallur publikisht.
Alfred Rushaj është propozuar edhe për postin e nënkryetarit të PD-së, bashkë me Enkelejd Alibeajn, Grida Dumën dhe Jorida Tabakun, pasi partia do të jetë me 4 nënkryetar. Enkelejd Alibeaj dhe Grida Duma janë gjithashtu krahu i Berishës, janë promovuar prej tij dhe kanë qenë pjesë e qeverisjes së tij, e cila u refuzua nga shqiptarët në 2013. Alibeaj dhe Guma kanë shënuar gjithashtu disfata të thella në Fier dhe Kavajë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Një tjetër post të rëndësishëm, atë të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Lulzim Basha ia ka besuar një ish-drejtori të qeverisë Berisha, Ervin Minarollin, i cili para vitit 2013 ka drejtuar Autoritetin e Aviacionit Civil. Ervin Minarollin që pritet të zëvendësojë Sait Dollapin, i cili dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve dhe ka nisur të marrë para publike, me tendera pa konkurrencë, për zhbllokim pusetash.
Për pozicionin e Sekretarit të Organizimit Dixhital, është propozuar Endri Hasa, ish drejtor i AKSHI, gjatë qeverisjes së Berishës, ku mbahet mend për dhënien e 17 tenderave nga 23 në total kompanisë së një shoku të tij. Komisionin e Zgjedhjeve në PD, Basha ka vendosur t’i besojë sërish Jemin Gjanës, ish-ministri i Bujqësisë në qeverinë Berisha, i akuzuar nga kundërshtarët e Bashës i njeriu i manipulimit të zgjedhjeve në PD.