Në fillim të muajit korrik, Arilena Ara njoftoi se ka gati albumin e parë të karrierës, ku ka shprehur nëpërmjet muzikës të gjitha ngjyrat që jetojnë brenda saj! Ai do të vijë nën titullin “POP ART” dhe të gjithë fansat e artistes të bëhen gati pasi albumi do të publikohet së shpejti! Për albumin, ajo ka realizuar në total 13 këngë, mes tyre një pjesë janë bashkëpunime. Arilena ka zgjedhur që të bashkëpunojë edhe me një artist shqiptar që është bërë shumë i njohur në mbarë botën, Gjon’s Tears.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Pushime On Top”, Gjoni ka treguar se si është njohur për herë të parë me Arilenën. “Unë kam nevojë t’i njoh shumë njerëzit kur bëj bashkëpunime, si përshembull Arilenën. Jemi takuar plot herë para se të fillojmë bashkëpunimin. Këngëtarë ka më të mirë se unë, por gjëja që na bën unikë është vetja jonë si humanë, a jemi të mirë si njerëz. Arilenën e kam njohur te ‘The Voice’, por nuk kemi folur shumë herën e parë kur erdhëm. Kështu që kur më ka thirrur në atë moment që edhe ajo ishte duke konkurruar për Eurovisionin, ishte një kënaqësi e madhe”, u shpreh artisti.
Më pas Gjon’s Tears ka treguar më shumë për bashkëpunimin e tyre. “Arilena më ka marrë te ajo bota e saj. Unë erdha si qershia mbi tortë, bëra pjesën time. Nuk e kemi shkruar këngën bashkë nga fillimi, ishte një eksperiencë shumë e re”, tha këngëtari duke shtuar se në të ardhmen mund të bëjnë një këngë të dytë, këtë herë të kompozuar nga vetë ai. Kënga e parë e Arilenës dhe Gjon’s Tears mban titullin “Dance Me” dhe videoklipi është xhiruar e tashmë ka ngelur vetëm të publikohet.