Ministrat e jashtëm të BE -së do të takohen në një video-konferencë urgjente të martën, pas marrjes së Kabulit nga talebanët, njoftoi shefi i politikës së jashme të bllokut, Josep Borrell.
”Takimi do të shfrytëzohet për të bërë një vlerësim të parë të situatës”, shkroi Borrell në Twitter.
“Afganistani është në një udhëkryq. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve të tij si dhe siguria ndërkombëtare janë në lojë”, tha ai.
Talebanët morën nën kontroll kryeqytetin afgan, Kabul dhe, për herë të parë, njoftuan krijimin e Emiratit Islamik.
Pas një dite të furishme, të karakterizuar nga dorëzimi ”de facto” i kryeqytetit ndaj përparimit të pandalshëm të kryengritësve, Afganistani tani është kthyer në mënyrë dramatike nën kontrollin e kryengritësve.
Ndërkohë, presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.
”Ika për të shmangur një gjakderdhje. Talebanët fituan… dhe tani ata janë përgjegjës për nderin, pronën dhe mbrojtjen e bashkatdhetarëve të tyre”, tha Ghani në një deklaratë të postuar në Facebook.