Forcat amerikane mund të qëndrojnë në Kabul përtej 31 gushtit për të evakuuar të gjithë amerikanët, tha presidenti amerikan Joe Biden. “Talebanët duhet të vendosin nëse duan të njihen nga bashkësia ndërkombëtare”, theksoi Biden, në një intervistë për ABC, duke deklaruar se, megjithatë, nuk mendon se ata kanë ndryshuar bindjet e tyre themelore, raporton ATSh.
“Unë mendoj se ata po kalojnë një lloj krize ekzistenciale: a duan ata të njihen nga komuniteti ndërkombëtar si një qeveri legjitime? Nuk jam i sigurt se ata e duan këtë”, shpjegoi ai, duke vënë në dukje se “studentët” afganë duken më shumë besnikë ndaj ideve të tyre. Presidenti amerikan vuri në dukje se qëllimi i parë i ndërhyrjes në Afganistan ishte luftimi i Al Kaedës dhe se ndërtimi i një shteti nuk kishte qenë kurrë “një qëllim”.