Kryebashkiaku Veliaj inspektoi sot çerdhen e parë të hapur në një biznes privat për t’ju ardhur në ndihmë prindërve që punojnë aty. Realizimin e këtij projekti, Veliaj e cilësoi si një revolucion social në Tiranë. “Sot realisht po bëjmë një revolucion sepse do rritet një kulturë e re e korporatave, do piqemi si komb edhe si qytet edhe kemi dhënë një shembull jo vetëm në Shqipëri, po mesa di unë është edhe shembulli i vetëm në Ballkan në këtë nivel. Ky është një investim, sepse me gjasë produktiviteti i stafit, sidomos në një institucion ku 75% janë gra e vajza, rritet duke shmangur trafikun në mëngjes dhe rehatia njerëzore e dikujt që punon në katin e dytë dhe të tretë, kur fëmijët kanë ndoshta kopshtin dhe çerdhen më të bukur sot në Tiranë nuk ka të paguar”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se tani ka dy sfida, një për kompanitë e tjera të mëdha dhe një për punonjësit në këto kompani. “Ftesa është për 499 të tjerët, nga 500 kompanitë kryesore në Tiranë, që ta pranojnë këtë sfidë. Nuk është shkencë raketash, do vetëm vullnet. Banka kishte vullnet e bëri, po të ketë vullnet ka gjithmonë një rrugëzgjidhje, nuk është fitimi gjithçka. Sfida tjetër është për stafet që punojnë në bankat e tjera, që punojnë në kompani celulare, që punojnë në call-center, që punojnë në ndërmarrje me shumë punëtorë, të fillojnë të të thonë në kompaninë e tyre: ‘Përderisa një bankë e bëri mund ta bësh edhe ti’”, sqaroi më tej Veliaj.
Drejtoresha e Përgjithshme Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës, Zhanea Beqiri bëri me dije çerdhja është dizenjuar për 30 fëmijë dhe shërbimi e gjithçka tjetër do të jetë ashtu siç funksionon në çerdhet e tjera në Tiranë: “Do jetë e njëjta kurrikul, i njëjti aktivitet ditor, e njëjta menu dhe bashkia e Tiranës del garant i ofrimit të cilësisë dhe sigurisë së shërbimit”.