Anija Vlora hyri në portin e Barit me 18 000 shqiptarë në bord. Dhe kjo ndryshoi historinë italiane të migrimit, shkruan Beppe Sevegnini për gazetën më të madhe italiane Corriere della sera.

Tridhjetë vjet më parë, e enjte 8 gusht 1991, anija tregtare Vlora, e përdorur për transportin e sheqerit, hyri në portin e Barit me 18 000 shqiptarë në bord, thënë ndryshe një qytet i tërë. Ajo ditë vere ndryshoi historinë italiane të migrimit. Pasi eksportuam njerëz për më shumë se një shekull – 30 milionë midis viteve 1861 dhe 1985 – filluam t’i importojmë ata. Nuk jemi ndalur akoma.

Imazhi i Vlorës është stampuar në kujtesën tonë kolektive. Anija po pikonte me qenie njerëzore: ata ishin kudo, deri në oxhakë dhe antenat e anijes. Autoritetet italiane autorizuan ankorimin – çfarë tjetër mund të bënin? – por ata e urdhëruan anijen të largohej pas disa orësh. E pamundur, natyrisht, duke pasur parasysh ngarkesën. Sapo ishin në port, shqiptarët filluan të hidheshin në ujë. Një skenë madhështore dhe dramatike, e cila dukej se dilte nga imagjinata e Dante Aligierit.

Përkundrazi, kjo ndodhi drejtpërdrejt në televizion, para një Italie të pabesueshme. Data dhe episodi më erdhën në mendje kur lexova Së pari italianët! (po, por cilët?), shkruar nga Francesco Filippi, historian i mentalitetit (kështu e përcakton kopertina e botimit Laterza).

Një ese e thatë dhe e dobishme, plot numra dhe fakte, e kalitur me idealizëm dhe e parfumosur me ideologji. Një libër që të detyron të mendosh. Autori pretendon se në verën e vitit 1991 Italia u bë, për herë të parë, Amerika e dikujt tjetër. Shqiptarët, të magjepsur nga televizioni ynë i pakujdesshëm i viteve 1980, ishin të bindur se, përtej horizontit, parajsa po fillonte. Pasi u shemb diktatura, ata erdhën për të parë se si ishte.

Anija Vlora duhet të jetë një kujtesë gjigante.

Dhe një paralajmërim. Migracioni nuk mund të menaxhohet me fatalizëm të zemrës (një iluzion i së majtës, nga Laura Boldrini te Alexandria Ocasio-Cortez). Por, as nuk mund të refuzohet, as të kontrollohet plotësisht, siç na thotë e djathta (nga Donald Trump tek Matteo Salvini).

Historia nuk kërkon leje, ajo hyn pa trokitur. Ekziston një migrim i pashmangshëm dhe një imigrim i organizuar. Pra, le të fillojmë të organizohemi.

Dhe për të vepruar, të vetëdijshëm se do të na duhet të pranojmë diçka. Përndryshe, 10, 100, 1000 anije Vlora do të shfaqen në horizont, që vijnë nga Afrika. Dhe atëherë do të jetë vonë.