Drejtuesja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, i bëri sot apel qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19.

Në një video të publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prof. Bino flet mbi mitet dhe faktet për infektimin nga COVID-19.

Për mitin “kur nuk më ka zënë deri tani jam imun ndaj COVID-19”, prof. Bino thekson se “kjo është një përshtypje shumë e gabuar sepse çdo person mund të infektohet nga COVID. Këta persona mund të kenë qenë të infektuar, por në mënyre asiptomatike dhe këta mund te infektohen me variantet e reja, të cilat janë tepër të transmetueshme”.

“Duke mos qenë të vaksinuar të infektuarit mund të kenë forma të rënda të sëmundjes, mund të shtrohen në spital dhe për fat të keq mund të ketë edhe vdekje. Kjo është arsyeja që çdo person që e ka kaluar apo jo Covid duhet të vaksinohet ka pasur apo jo kontakt me një person me Covid duhet të vaksinohet”, – tha Bino.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer 1,396,390 vaksinime në gjithë vendin. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 1,899,172 vaksina antikovid. 594,050 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.

Muaji gusht dhe shtator do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar duke u paraqitur me kartën e identitetit.

Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.