Në spitalin Infektiv po kurohen edhe pacientë me formë të rëndë të Covid. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, thotë se tek ta virusi ka prekur mushkërinë. Por ndryshe nga varianti fillestar i COVID, pacientet e prekur nga delta nuk kanë kollë apo vështirësi në frymëmarrje.

“Janë diku 30 pacientë të shtruar në spital. Format janë nga të mesme deri në të rënda. Rastet që kanë ardhur tek ne aktualisht kanë pasur klinike të fshehtë, me prekje të gjerë pulmonare. Por pa vështirësi frymëmarrjeje, madje do thosha pa kollë. Pra, sjellja e Deltës, është e ndryshme në fazat e para të sëmundjes. Ndaj, u kam bërë thirrje qytetarëve por edhe kolegëve të mi që të kenë shumë kujdes për çdo rast të ri, i cili referohet tek mjeku i familjes dhe dëshmon shenjat e para të Covid-it, edhe pse nuk ka vështirësi në frymëmarrje apo nuk ka atë kollën e shtuar.” Për sa i përket urgjencave mjekësore në spitalin Infektiv, fillimi i javës së kaluar solli një rritje të ndjeshme, por në fundjavë numri ka pësuar rënie.

Pipero tregon gjendjen e dy pacienteve te moshuar, qe humbën jetën në infektiv javën e kaluar. “Prekje e gjerë e sistemit pulmonar, së dyti përgjigje inflamatore sistemike, e agravuar. Një përgjigje jo adekuate ndaj virusit. Do të thosha, një dëmtim të shumë organeve njëkohësisht dhe pamundësi për t’u mundësuar që të shpëtonin. Ishin nga ato forma tejet të rënda të Covid në përgjithësi.”

Varianti Delta i COVID ka një transmetueshmëri shumë më të lartë se të gjithë variantet e tjera te shfaqura deri tani. Megjithatë sipas eksperteve, ai nuk po paraqitet aq agresiv sa me mendohej me pare, e reflektuar kjo ne numrin relativisht te ulet te rasteve qe përfundojnë në spital ose në fatalitet. /abcnews.al/